Formula 1/ Norris vendos ritmin në Bahrein, Verstappen dhe Leclerc pas tij në ditën e parë të testeve

Dita e parë e testeve në Bahrein, në prag të nisjes së Botërorit të Formula 1, u mbyll me Lando Norris në krye.

Piloti i McLaren, kampioni në fuqi i botës, regjistroi kohën më të shpejtë në pistën e Sakhirit: 1:34.669.

Pas tij u rendit Max Verstappen. Holandezi realizoi plot 135 xhiro dhe ndaloi kronometrin në 1:34.798, vetëm 129 të mijtat më ngadalë se Norris.

Vendin e tretë e zuri Charles Leclerc me Ferrari, me kohën 1:35.190 në 79 xhiro të zhvilluara. Pas tij u pozicionua Esteban Ocon me Haas, me 909 të mijtat më shumë se Norris, ndërsa Oscar Piastri me McLaren u rendit i pesti, 933 të mijtat pas shokut të skuadrës.

Pozitive ishte dita edhe për Lewis Hamilton me Ferrarin. Britaniku regjistroi kohën 1:36.433 dhe u rendit i shtati, menjëherë pas George Russell me Mercedes në vendin e gjashtë.

Andrea Kimi Antonelli me Mercedes u klasifikua i 11-ti, por zhvilloi vetëm 29 xhiro.

Vëmendje të madhe morën edhe Audi dhe Cadillac. Skuadra gjermane u rendit e nënta me Hulkenberg dhe e 15-ta me Bortoleto, ndërsa Cadillac zuri vendin e 14-të me Perez dhe të 16-tin me Bottas.

Për Williams, që mungoi në testet paraprake në Barcelonë, ishte një ditë e rëndësishme: Carlos Sainz u rendit i 13-ti, ndërsa Alex Albon i 10-ti.

Në këtë sesion testesh nuk morën pjesë Hadjar, Alonso, Lawson dhe Bearman.