Ndërron jetë në moshën 48-vjeçare aktori i njohur amerikan
Aktori amerikan James Van Der Beek, i njohur për rolin e tij si Dawson Leery në serialin e famshëm ‘Dawson’s Creek’, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare. Lajmi u konfirmua përmes një deklarate në faqen e tij zyrtare në Instagram, ku thuhet se ai i përballoi ditët e fundit ‘me guxim, besim dhe dinjitet’.
Van Der Beek kishte zbuluar në fund të vitit 2024 se ishte diagnostikuar me kancer kolorektal në stadin e tretë. Deri tani nuk është bërë publik shkaku zyrtar i vdekjes. Zyra e Mjekut Ligjor në Travis County konfirmoi se rasti ishte raportuar në orët e para të mëngjesit.
Aktori la pas bashkëshorten, Kimberly, dhe gjashtë fëmijët e tyre.
James Van Der Beek u bë i famshëm në fund të viteve ’90 me rolin kryesor në ‘Dawson’s Creek’, serial që u transmetua nga viti 1998 deri në 2003 dhe që shënoi një epokë për televizionin rinor amerikan. Ai gjithashtu luajti në filmin ‘Varsity Blues’ dhe në disa seriale të tjera si ‘CSI: Cyber’, ‘How I Met Your Mother’ dhe ‘Don’t Trust the B— in Apartment 23’.
Gjatë karrierës së tij, ai u përball me sfidën e daljes nga hija e rolit që e bëri të famshëm, por më vonë fitoi simpati duke ironizuar veten në projekte komike dhe paraqitje televizive. Në vitin 2025, ai mori pjesë edhe në ‘The Masked Singer’.
I lindur në Connecticut, Van Der Beek nisi aktrimin që në adoleshencë dhe pati eksperienca në teatër përpara se të arrinte suksesin në televizion. Në vitin 2024, ai u rikthye në universitetin Drew për të marrë një diplomë nderi.
Vdekja e tij ka sjellë reagime të shumta nga fansat dhe kolegët, të cilët e kujtojnë si një aktor të talentuar dhe një figurë të dashur të ekranit.