VIDEO/ Shevçenko kujton finalen e Championsit 2003 kundër Juves: Si e godita penalltinë përballë Bufon
I ftuar në formatin e “Amazon Prime Video”, Andrij Shevçenko është rikthyer të flasë për një nga momentet më ikonike të historisë së Milanit; penalltinë vendimtare në finalen e Champions League 2003 kundër Juventusit, në Mançester.
Ish-sulmuesi kuqezi, fitues i “Topit të Artë” dhe protagonist absolut i Milanit mes viteve 1999-2006, ka rrëfyer emocionet, tensionin dhe prapaskenat e asaj nate të paharrueshme.
“Në çdo hap që bëja, Bufon më dukej gjithnjë e më i madh, ndërsa porta gjithnjë e më e vogël. I përsërisja vetes të mos e ndryshoja vendimin. E dija si do ta godisja, duhej vetëm të prisja lëvizjen e portierit. Kisha analizuar disa penallti të mëparshme të gjuajtura ndaj Xhixhit dhe vija re këto lëvizje. Duhej të prisje momentin kur ai lëshohej.
Çfarë shikoja? Po prisja fishkëllimën e arbitrit. Pashë Xhixhin, pastaj arbitrin. Ai fishkëlleu, por unë nuk e dëgjova. Po shikoja majtas e djathtas, sikur të thosha ‘të shkoj apo të mos shkoj?’.
Kjo më ndihmoi të fitoja pak kohë dhe të qetësohesha. Pastaj, bam. Për ne shkoi gjithçka mirë, por kam shumë respekt për Juventusin, për skuadrën, për mënyrën si luajtën atë ditë dhe për Xhixhin, që ka bërë një karrierë të jashtëzakonshme”.
https://www.reddit.com/r/soccer/comments/gs3848/on_this_day_in_2003_ac_milan_won_their_6th_uefa/