Balliu: Ja cila është narko-policia që na flet Edi Rama dhe Ilir Proda
Deputeti i PD, Klevis Balliu, ka akuzuar kryeministrin Rama dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, se e kanë shndërruar policinë në një strukturë në shërbim të krimit dhe pushtetit.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Balliu përmendi lidhjet e policisë me bandat kriminale, mosveprim në ngjarje të rënda dhe dhunë ndaj qytetarëve në protesta, përfshirë edhe rastin e deputetit Bledion Nallbati.
Ai thekson se efektivët e ndershëm do të kenë mbështetjen e opozitës, ndërsa ata të përfshirë me elementë kriminalë do të përballen me përgjegjësi.
Reagimi i plotë:
Rama dhe Proda na flasin për policinë e tyre. Por cila është kjo polici?
A nuk është kjo policia që kanabizoi një vend të tërë?
A nuk është kjo policia që i bënte eskortë Ergys Agasit?
A nuk është kjo policia e përfshirë në aferën kriminale të AKSH-it nëpërmjet nëndrejtorit të policisë?
A nuk është kjo narkopolicia e përfshirë me kartele dhe banda, siç ishte rasti i Oltion Bistrit me Pëllumb Gjokën?
A nuk është kjo policia që nuk gjendej askund ditën kur ndodhi atentati në aeroport, në zonën më të mbrojtur të Shqipërisë?
A nuk është kjo policia që u ka lënë bandave nga një qytet për të kontrolluar?
A nuk është kjo policia që nuk arrin të gjejë sot Suel Çelën dhe banditë të tjerë, ndërkohë që për qytetarët është kudo?
Kur ka protesta, qytetarët merren dhe dhunohen. I marrin zvarrë, siç ndodhi në protestën e fundit. Dhunohen qytetarë të ndershëm, ndërkohë që kriminelët lejohen të lirë.
A nuk është kjo policia që shkoi dje dhe dhunoi në mënyrë barbare deputetin Bledion Nallbati?
A nuk është kjo policia që pak ditë më parë arrestoi një dhjetëvjeçar në protestë?
A nuk është kjo policia që mban përgjegjësi për vrasjen e Klodian Rashës?
Por jo të gjithë efektivët e policisë janë të tillë. Ka efektivë të ndershëm në Policinë e Shtetit, të cilët opozita do t’i mbështesë.
Sa i përket efektivëve të përfshirë me elementë kriminalë dhe me narkopushtetin e Edi Ramës, ata do të vihen para përgjegjësisë një më një, duke filluar nga Ilir Proda e deri tek i fundit.