Makina e tij u përplas me kamionin e plehrave në Itali, ja kush është shqiptari që humbi jetën mes flakëve
Leonard Fjora, shqiptari 32-vjeçar që humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor katër ditë më parë në Itali. Ai drejtonte një makinë të tipit “Volkswagen” në momentin që u përplas kokë më kokë me një kamion plehrash në autostradën e Porrettana në Bolonja.
Mediat italiane shkruajnë se, pasi kaloi në korsinë e kundërt, makina u përplas me kamionin dhe më pas me kangjellat mbrojtëse, goditje kjo aq e fortë sa mjeti u nda në dy pjesë dhe u shndërrua menjëherë në një "top zjarri".Për fat të keq, flakët u përhapën me shpejtësi të rrufeshme, duke mos i dhënë asnjë shans shpëtimi të riut, i cili dyshohet se mund të kishte rënë të fikët si pasojë e goditjes fillestare.
Sipas mediave të huaja, ndërhyrja e zjarrfikësve dhe ekipeve mjekësore nuk pati rezultat pasi trupi i viktimës u karbonizua brenda mjetit të djegur. Procesi i identifikimit zgjati disa orë, jo vetëm për shkak të gjendjes së trupit, por edhe sepse dokumentet e identifikimit u dogjën plotësisht në aksident.
Ndërkohë, shoferi 61-vjeçar i kamionit arriti të shpëtonte pa lëndime fizike, por u trajtua nga mjekët në vendngjarje për shkak të gjendjes së rëndë të shokut. Karabinierët e njësisë Casalecchio hetuan skenën për orë të tëra, duke dyshuar se shkak i tragjedisë mund të ketë qenë edhe një manovrë e pamatur parakalimi në terrenin e vështirë.