Ilda Zhulali denoncon: Rama nxjerr jetimët në ankand
Një projektligj i paraqitur me ngut në Kuvend pretendon të mbështesë fëmijët jetimë dhe ata pa kujdestar. Por, sipas Ilda Zhulalit, drejtuese e dep. te politikës së Jashtme pranë Pd, realiteti është krejt tjetër: ligji i ri mund të heqë mundësinë e birësimit dhe të privilegjojë familjet e licencuara, të cilat përfitojnë pagesa për kujdestarinë.
Në vend të afërmve të fëmijëve, hapet rruga për një treg privat të përfitimeve, duke shndërruar një çështje sociale në një biznes me interes, shkruan ajo.
Reagimi i Zhulalit:
Fëmijët në Ankand – nisma e re e qeverisë, që pas çdo “ndihme” fsheh një biznes!
Në Kuvendin e Shqipërisë u paraqit me shpejtësi një projektligj që, teorikisht, synon t’u vijë në ndihmë fëmijëve jetimë ose me prindër në pamundësi të kujdestarisë. Por përtej fjalëve të bukura, nisma parashikon:
1. Heqjen e mundësisë së birësimit për këta fëmijë;
2. Dhënien e përparësisë së kujdestarisë familjeve që do të liçencohen dhe paguhen për këtë shërbim, në vend të familjarëve apo të afërmve të fëmijëve.
Me fjalë të tjera, hapet rruga për biznesin e ankandit të fëmijëve – në një shtet që prej vitesh funksionon me skema grabitjeje financiare si “5D”, “5B” e të ngjashme.
Qershia mbi tortë e “shpirtmadhësisë” së mazhorancës ndaj fëmijëve jetimë është vendimi për të shembur shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në
Tiranë dhe për të ngritur një kullë, në vend të saj.
Ky sqarim vlen për këdo që dëshiron të dijë se çfarë fshihet pas mbështjelljes plot shkëlqim të nismave të kësaj korruptoqeverie.