Përmbytjet dëmtojnë grurin dhe elbin, situata më e rëndë në Bashkinë Maliq

Reshjet e dendura të muajve nëntor dhe janar kanë shkaktuar probleme serioze për kulturat bujqësore dimërore, veçanërisht për grurin dhe elbin. Sipërfaqe të tëra kanë mbetur të përmbytura për ditë me radhë, duke ndikuar negativisht në zhvillimin normal të bimëve dhe duke rrezikuar ndjeshëm rendimentin e këtij sezoni.

Teprica e ujit në tokë ka sjellë pasoja të shumta: rrënjët e bimëve kanë mbetur në sipërfaqe për shkak të mungesës së ajrosjes, është ulur aktiviteti mikrobiologjik i tokës dhe është dëmtuar struktura e saj. Si pasojë, kulturat janë bërë më të dobëta dhe më të predispozuara ndaj sëmundjeve. Specialistët theksojnë se kullimi është kushti kryesor për të shmangur dëme të tilla dhe hapja e kanaleve kulluese mbetet një masë urgjente që duhet të jetë funksionale gjatë gjithë kohës.

Situata paraqitet më e vështirë në Bashkinë e Maliqit, ku dëmet konsiderohen të ndjeshme dhe ende ka sipërfaqe të mbuluara me ujë. Edhe në vetë Qendrën e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore raportohen hektarë të përmbytur, çka tregon përmasat e problematikës. Megjithatë, vështirësi të ngjashme hasen edhe në zona të tjera bujqësore.

Ekspertët paralajmërojnë se rendimenti i këtij viti do të jetë i kufizuar, sidomos në parcelat që kanë mbajtur lagështi për një periudhë të gjatë, me ndikim më të theksuar në Bashkinë e Maliqit. Krahas masave për kullimin, fermerët duhet të planifikojnë edhe plehërimin plotësues për të ndihmuar rimëkëmbjen e kulturave dhe për të minimizuar humbjet në prodhim.