Fotot 'mburrëse' me armë e luks, arrestohet dhe dënohet me 25 muaj burg në Britani 22 vjeçari shqiptar

Kelmend Tershalla, 22 vjeç, u arrestua vitin e kaluar në High Wycombe, Buckinghamshire, pasi policia ndaloi makinën e tij më 25 tetor në orën 17:15 dhe gjeti një hapësirë të fshehur nën vendin e pasagjerit të përparëm.

Në këtë hapësirë, oficerët e Thames Valley Police zbuluan kokainë në gjashtë doza të veçanta, kanabis të paketuar në 31 kavanoza me ngjyra të ndryshme dhe pesë paketime me cigare elektronike kanabisi. Tershalla u gjet gjithashtu me 319.47 paund para dhe një telefon celular, i cili u sekuestrua dhe u shkarkua nga policia. Nga mesazhet në telefon u konstatua se ai kontaktonte përdorues dhe furnizonte me kokainë dhe kanabis, duke operuar nën udhëzimin e një kontakti tjetër.

Tershalla, i cili nuk ka dënime të mëparshme në Mbretërinë e Bashkuar, pranoi posedimin e një droge të klasit A me qëllim furnizimi, posedimin e një droge të klasit B me qëllim furnizimi dhe posedimin e pasurisë kriminale.

Gjatë hetimeve, policia gjeti gjithashtu fotografi ku Tershalla shfaqej duke pozuar me para, drogë, armë dhe orë të shtrenjta, duke u mburrur me pasurinë e tij. Gjyqtari Simon Dyer vlerësoi se ai luante një rol të vogël në trafikun e drogës, por shtoi se fotografitë tregonin një mburrje të qartë dhe arrogante.

Avokati mbrojtës Rhys Rosser deklaroi se Tershalla ishte “plotësisht i penduar” dhe se 319 paund para nuk tregonin fitime të mëdha, duke shtuar se ai po udhëzohej nga një kontakt për furnizimin me drogë.

Tershalla u dënuar me 25 muaj burg dhe u paraqit në gjykatë përmes video-lidhjes nga HMP Bullingdon. Gjyqtari theksoi se, duke qenë ky dënimi i tij i parë, në rast të një shkeljeje të re, dënimi do të ishte më i gjatë.