Protesta e opozitës - Gazetari shqiptaro-amerikan që u mbyt në gaz nga policia, Asimi: Revolta, reale...

Gazetari shqiptaro-amerikan, Arian Asimi, ka qenë i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv ku ka komentuar protestën e djeshme të opozitës. Ai e ka krahasuar protestën me lëvizjet popullore të viteve '90. Sipas tij, protesta nuk ishte një tubim i orkestruar politikisht, por një shprehje e vullnetit të qytetarëve që kishin dalë për të kërkuar të drejtat e tyre dhe largimin e kryeministrit.

Një nga momentet më dramatike të përshkruara prej tij është përballja me gazin lotsjellës. Ai pretendon se gazi i përdorur nuk ishte i bardhë, por jeshil, dhe se efekti ishte aq i rëndë sa për një moment mendoi se po vdiste. "Isha shtrirë në asfalt, se nuk shikoja gjë... kujtova fëmijët, kujtova gruan time, edhe thashë ‘ika’", rrëfen ai.

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, gazetari sqaroi se prania e tij në protestë kishte dy misione. Misioni i parë, si profesionist i medias, ishte të shihte nëse bëhej fjalë për një "trip mediatik" apo për një revoltë autentike.

Misioni i dytë ishte personal dhe qytetar. "Unë dola për nënën time. Nëna time është pensioniste, ka punuar një jetë të tërë," deklaron ai. Sipas tij, çështja e pensioneve nuk është thjesht monetare, por ka të bëjë me dinjitetin, integritetin dhe respektin për kontributin e një jete. "Kur shteti i rrit pensionin pensionistëve, është respekt ndaj punës së tyre, ndaj jetës së tyre," përfundoi ai.

Flavio Qarri: Më trego gjithçka pe mbrëmjen e djeshme dhe mbi të gjitha një vlerësim, si duket nga afër, veçanërisht me sjelljen e policisë dhe komentet e eksponentëve politikë të mazhorancës.

Arian Asimi: Ishte një nga ditët më të bukura të jetës time. Sepse pashë live, pashë direkt, preka njerëz, nuk ishin as shpellarë, nuk ishin as druvarë, ishin njerëz që kishin dalë për të protestuar për të drejtat e tyre, ishin njerëz që kishin dalë për të rrëzuar, për të kërkuar largimin e këtij gjësë së shëmtuar që quhet Edi Rama. Personalisht përjetova rininë time, vitet '90, kur ne merrnim pjesë në protestat kundra atyre enveristëve që kërkonin bustin e Enverit.

Unë dua të them disa gjëra, në fakt kam patur probleme, me grykën, e kam shumë keq akoma, mundohem. Nga gazi, që hëngra, kam shumë probleme.

Unë isha në protestë, me dy misione. Dy misione, t'u them injorantëve sepse duhet sqaruar dhe injoranca. Unë jam shtetas amerikan dhe jam krenar që jam shtetas amerikan. Jam i lindur në Shqipëri. Mua po më dhembte shpirti dje. Unë po vdisja atje, po vdisja, isha shtrirë në asfalt, se nuk shikoja gjë dhe gazi që më hodhën, nuk ishte gaz i bardhë, ishte jeshil. Ishte gaz jeshil, se më kujtohet që hapa pak sytë dhe kujtova fëmijët, kujtova gruan time, dhe thashë, ika. Unë do të ofroja të tëra gjërat e botës vetëm për të shpëtuar në atë moment, se nuk e meritoja që të mbytesha me gaz. Dhe dua të them diçka tjetër që është shumë e rëndësishme. Pra, isha në radhë të parë si gazetar për ta parë nga afër protestën. Për ta kuptuar që a është thjesht një trip mediatik. Dhe unë pashë vërtet një protestë atje, unë pashë vërtet shpirtin e protestuesve.

E para isha si gazetar. Dhe unë e çmoj, e çmoj nenin e parë në kushtetutën që unë kam vënë dorën, jam betuar, lirinë e fjalës, lirinë e medias. Pra media është çdo njeri që ka guxim, shpirt, ka shpirt të pastër dhe e dashuron, zanatin e gazetarit.

Flavio Qarri: Asim, duke qenë se, ishe në shesh dhe besoj edhe gjatë natës edhe mëngjesin e sotëm ke pasur kohë të shohësh panoramën mediatike, krijove një ide më të përafërt për shkallën e manipulimit që ka në Shqipëri?

Arian Asimi: Pra verifikova që protesta është reale, njerëzit janë realë, revolta është reale, njerëzit janë shumë. Bile unë kam takuar dhe shumë njerëz që kanë frikë. Se ka njerëz që kanë frikë, nuk janë të gjithë njerëzit trima. Pra shumë njerëz nuk rrinë as në bulevard, po rrinë një çikë më këtej që mos i shikonte njeri. A më kupton? Pra unë vërtetova që revolta është e vërtetë, nuk është manipulim, është e vërtetë.

 Unë dola edhe për nënën time. Nëna time është pensioniste këtu, ka punuar një jetë të tërë. Por, pensioni nuk është thjesht vetëm ana monetare, është integritet, është respekt. Kur shteti  i rrit pensionin pensionistëve është respekt ndaj punës së tyre, ndaj jetës së tyre, nuk është thjesht ana ekonomike.