Rrëfim mes lotësh në Olimpiadë/ Laegreid fiton medalje bronzi dhe pranon tradhtinë live në TV
Lojërat Olimpike Dimërore dhuruan jo vetëm emocione sportive, por edhe një moment tepër personal që tronditi opinionin publik. Biathlonisti norvegjez, Sturla Holm Laegreid, 28 vjeç, fitoi medaljen e bronztë në garën individuale të 20 km për meshkuj, por vëmendjen e mori rrëfimi i tij i papritur pas suksesit.
Menjëherë pas ceremonisë së medaljeve, mes lotësh, ai deklaroi për televizionin norvegjez NRK: “Gjashtë muaj më parë takova dashurinë e jetës sime, personin më të bukur dhe më të mirë në botë. Dhe tre muaj më parë bëra gabimin më të madh të jetës sime: e tradhtova.”
Deklarata e sinqertë në transmetim të drejtpërdrejtë habiti publikun dhe gazetarët. Më vonë, gjatë konferencës për shtyp, Laegreid pranoi se ende nuk kishte marrë asnjë reagim nga partnerja e tij pas këtij rrëfimi publik.
“Nuk kam pasur asnjë reagim nga vajza për të cilën fola. Ndoshta nuk e ka parë ende. Shpresoj ta shohë në momentin e duhur. Nuk dua t’ia përkeqësoj situatën. Ndoshta mund të ndihmojë, nuk e di. Do të shohim”, u shpreh ai.
Pa zbuluar identitetin e saj, sportisti shtoi se ajo ndoshta është ende duke përpunuar mesazhin që ai i kishte dërguar javën e kaluar, por shpreson “që në fund të tunelit të ketë dritë për të dy”.
Një medalje olimpike dhe një zemër e thyer, për Laegrei kjo ishte një ditë emocionesh ekstreme.