Rusia sulm ajror mbi Kharkiv gjatë natës, humbin jetën tre fëmijë
Një sulm ajror rus në rajonin lindor të Ukrainës, Kharkiv, ka lënë të vdekur tre fëmijë dhe një të rritur, njoftoi shefi i administratës ushtarake lokale, Oleg Synegubov.
Sipas tij, sulmi goditi një shtëpi në qytetin Bogodukhiv, pranë kufirit me Rusinë. “Dy djem njëvjeçarë dhe një vajzë dyvjeçare u vranë,” deklaroi Synegubov, duke shtuar se viktimë mbeti edhe një burrë 34-vjeçar që ndodhej me fëmijët në momentin e shpërthimit. Autoritetet nuk saktësuan nëse ai ishte babai i tyre.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi, të hënën, një grua dhe një djalë 10-vjeçar u vranë në një tjetër sulm ajror në të njëjtin qytet, duke thelluar bilancin tragjik për zonën.
Moska ka kryer sulme ajrore të përditshme në Ukrainë që nga nisja e pushtimit më 24 shkurt 2022, duke shkaktuar viktima të shumta në mesin e civilëve. Sipas një raporti të publikuar në fillim të janarit nga Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë (HRMMU), afro 15,000 civilë ukrainas janë vrarë dhe rreth 40,600 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës.
Raporti thekson se viti 2025 ka qenë viti më vdekjeprurës pas vitit 2022, me mbi 2,500 civilë të vrarë, duke nënvizuar përshkallëzimin e dhunës dhe pasojat e rënda për popullsinë civile.