'Kupola e Policisë e përfshirë në krime të rënda'/ Bushkolaj: Dhuna ndaj protestuesve, disproporcionale

Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në emisionin “A SHOW” në Syri TV me moderatorin Adi Krasta, deklaroi se dhuna e përdorur nga policia ndaj deputetëve dhe protestuesve në protestën e sotme nuk mund të shihet e shkëputur nga protestat e fundit, ku sipas tij Policia e Shtetit po përdoret si “polici private” në mbrojtje të investitorëve strategjikë në zona si Durrësi, Shkodra dhe Lushnja.

Ai akuzoi policinë për përdorim disproporcional të dhunës ndaj qytetarëve që, protestojnë për mbrojtjen e pronave të tyre, ndërsa theksoi se emra drejtuesish të lartë të policisë janë përmendur edhe në dosje të bujshme si Sky ECC dhe hetime të SPAK-ut.

Bushkolaj përmendi gjithashtu atentate të rënda dhe çështje të trafikut të drogës, duke ngritur shqetësime për kriminalizim të kupolës së Policisë së Shtetit.

Sipas tij, situata lidhet edhe me zhvillimet politike, duke akuzuar kryeministrin se po mbron zyrtarë të lartë të hetuar për abuzime me fondet publike. Bushkolaj theksoi se raportet ndërkombëtare dhe deklarimet e fundit të partnerëve të huaj e kanë vënë Shqipërinë nën vëzhgim të shtuar për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.

Bushkolaj:

Ngjarja e sotme është e pamundur të shihet e shkëputur nga edhe nga ngjarjet e ditës që kanë ndodhur, pra protestat e ditëve të fundit ku policia po përdoret si polici private në mbrojtje të investitorëve strategjik. Qoftë në Durrës ku janë projektet e ADF-së, qoftë në zonën e Shkodrës, apo qoftë në zonën e Lushnjes ku po ngrihen parqet fotovoltaike.

Kemi këtë panoramë të Policisë së Shtetit që keqpërdoret kundër qytetarëve që kanë dalë aty për të mbrojtur pronat e tyre. Një tjetër element ku ne e shohim Policinë e Shtetit, e shohim Policinë e Shtetit në atentatet mafioze, qoftë në atentatin tragjik në Rinas, apo në një atentat të rëndë të ndodhur para pak ditësh në Lezhë, ku aty, në atë perimetrin e plumbave kanë qenë dhe efektivë të Policisë së Shtetit.

Policinë e Shtetit e shohim në dosjet e Sky ECC, ku del se si drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë diktuar nga kartelet e drogës dhe një ndër këto dyshohet të paktën që është edhe vetë kreu aktual i Policisë së Shtetit, zoti Proda, i cili dhe telefonin e tij e ka pasur në SPAK pikërisht në kuadër të disa hetimeve që SPAK bashkë me prokurorinë e Elbasanit kanë zhvilluar për grupe kriminale që operojnë në Elbasan. Dhuna është krejt shpërporcionale në raport me aktet e protestuesve. Në fund të ditës pyetja shtrohet, pse kanë dalë këto qytetarë në protestë? Është e thjeshtë fare. Kemi një kryeministër që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, merr në mbrojtje zëvendësin e tij e cila po hetohet për abuzime me fondet publike të paktën në vlerën 1.1 miliard euro.

Dhe çfarë ndodh? Thotë, jam i gatshëm që të ndryshoj legjislacionin. Për hir të së vërtetës, kur e dëgjova Ramën, të duket e pabesueshme, por mu kujtua batuta e të madhit At Gjergj Fishta me një gazetar britanik, i cili i tha që ju shqiptarët e ndryshoni fenë përmes interesave dhe i tha, ju britanikët e ndryshuat fenë e një perandorie për epshet e një mbreti.

Kam përshtypjen që dhe Edi Ramës ka filluar t’i duket vetja si Henri i Tretë Tudor,  mbreti i Anglisë, janë veprime që tregojnë agresivitet.

Nuk është hera, nuk është hera e parë që përmendet, emri i Sokol Bizhgës. Emri i Sokol Bizhgës, për hir të së vërtetës, për këdo që e njeh kronikën, është një emër që është hasur që në vitet '97 në skenë.

Dëgjo, ai është një nga ato drejtues policie që zbret në terren sa herë kemi akte të ngjashme. Pothuajse në çdo protestë, profili i Sokol Bizhgës, pra që nuk është vetëm i Sokol Bizhgës, por mund të jetë edhe një numër më i madh drejtuesish të tjerë, është gjithmonë në këto protesta ku ka dhunë shpërporcionale në raport me qytetarët, se në radhë të parë ata janë qytetarë, pastaj janë opozitarë apo i përkasin një force politike.

Pra emrin e Sokol Bizhgës, për të gjithë ata që s’e dinë, për herë të parë është hasur në atë që njihet si masakra e Qafë Gjashtës. Kanë qenë në një pritë nga një grup kriminal në zonën e Sarandës. Kanë qenë dy oficerë policie, Sokol Bizhga dhe Gjergj Mehmeti, të cilët po vinin nga Vlora për të shkuar në drejtim të Gjirokastrës. Ka pasur një pritë dhe është hapur zjarr. Për fat të keq aty ka humbur jetën një efektiv policie, Gjergj Mehmeti, i cili është shpallur edhe Dëshmor i Atdheut. Ka një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, por është një person të cilin e kemi parë gjithmonë në vijë të parë, në çdo protestë ku ka akte dhune karshi deputetëve të Partisë Demokratike dhe karshi qytetarëve.

Forcat e rendit kanë një problematikë të theksuar që lidhet me kupolën. Është e pamundur që ne të lexojmë një dosje të SPAK-ut, të ardhur nga partnerët ndërkombëtarë, duke nisur nga ato të viteve 2020 e deri tani tek operacionet e fundit me call center-at në Tiranë, ku përballë kishës ortodokse dhe mbi ambasadën izraelite zhvateshin barbarisht qytetarët evropianë, ku të mos ketë të përfshirë elementë të Policisë së Shtetit. Kriminalizimi masiv i Policisë së Shtetit, gjithmonë flas si kupolës, se nuk përfshijmë dot 11,000 efektivë të Policisë së Shtetit, ku ka nisur me kanabizimin dhe vetëm ka vijuar dhe është thelluar pra. Ajo kupolë që dikur korruptohej nga paratë e kanabisit, tani po korruptohet nga paratë e kokainës, që hyjnë në shifra alarmante.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian para pak ditësh kanë ardhur dhe kanë bërë inspektim në portin e Durrësit. Vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, zoti Proda, është shprehur që në dy vitet e fundit është kapur vetëm 6 kg kokainë në portin më të rëndësishëm në vend dhe sipas të gjitha të dhënave që vijnë nga partnerët dhe nga raportet e DASH dhe nga agjencitë ligjzbatuese italiane, kryesisht antimafia, është një pikë kyçe në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vetëm një shifër do të jap. Nga 10 shkurti, nga 10 shtatori i 2025-ës deri në datën 16 shkurt të vitit 2026, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë, pra në faqen e saj në rrjetet sociale ka përmendur plot 18 herë kartelet e drogës dhe grupet e strukturuara kriminale dhe pastrimin e parave.