Rama nuk dorëzon Ballukun dhe kërcënon drejtësinë, i vjen ‘shuplaka’ nga SHBA: Nuk ka bashkëpunim me Shqipërinë pa…
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar për News24 lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama që u shpreh se Parlamenti nuk ka asnjë ngut për të kaluar në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për akuza që lidhen me tendera miliona euro.
Kujtojmë se kjo kërkesë është depozituar në Kuvend që në 16 dhjetor të vitit 2025.
Ambasada e amerikane shprehet se pavërësia e institucioneve të drejtësisë është thelbësore në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ambasada e SHBA për News24:
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar”.
Por përfaqësia diplomatike e SHBA ka shmangur komentet lidhur me çështjen Balluku, duke e konsideruar atë një çëshjte nën hetim.
“Nuk kemi koment për çështjet ligjore që janë në proces”.
Një ditë më parë një reagim erdhi nga Brukseli për deklaratat e Ramës, lidhur me çështjen Balluku.
Komisioni Europian:
“Është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”.
SHBA, por edhe Bashkimi Europiane kanë mbështetur që në nisje Reformën në Drejtësi e më pas ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Mbështetja ka qenë e vazhdueshme për punën e Prokurorisë së Posaçme GJKKO dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke e vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe krimit.