Në SHBA prezantohet ‘Ligji i Virxhinias’, në emër të viktimave të Jeffrey Epstein

Demokratë në Kongresin amerikan, së bashku me të mbijetuar të abuzimeve seksuale të financuesit të ndjerë Jeffrey Epstein, mbajtën një konferencë për shtyp në Uashington, ku prezantuan një projektligj të ri të quajtur “Ligji i Virxhinias”.

Udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, tha se “drejtësia nuk duhet të skadojë”, duke theksuar se projektligji synon të heqë barrierat e parashkrimit që aktualisht ua pamundësojnë shumë të mbijetuarve të ndjekin rrugë ligjore kundër abuzuesve të tyre.

Ligji mban emrin e Virginia Giuffre, një nga viktimat më të njohura të Epstein, e cila ndërroi jetë së fundmi. Familjarët e saj ishin të pranishëm në konferencë. “Ligji quhet kështu sepse ajo foli”, tha Schumer.

Projektligji nuk lidhet me çështje penale, por me të drejtën e të mbijetuarve për të ngritur padi në gjykata civile edhe pas kalimit të një periudhe të gjatë kohore, veçanërisht në rastet e trafikimit seksual.

Që “Ligji i Virxhinias” të hyjë në fuqi, ai duhet të miratohet nga shumica në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA-së, si dhe të nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump.

Nisma vjen pak ditë pasi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së publikoi miliona faqe shtesë dokumentesh që lidhen me çështjen Epstein, më 30 janar. Megjithatë, qëndrimi aktual i Departamentit të Drejtësisë është se, pavarësisht sasisë së madhe të dokumenteve, nuk ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuza të reja penale.

Gjatë ditëve të fundit, disa anëtarë të Kongresit që kanë parë versione të redaktuara të dosjeve kanë përmendur publikisht emra të bashkëpunëtorëve të dyshuar të Epstein. Në konferencë foli edhe vëllai i Virginia Giuffre, Sky Roberts, i cili përmendi Andreë Mountbatten-Ëindsor, duke thënë se ish-princi britanik duhet të “shfaqet dhe të japë përgjigje”.

Demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar vazhdimisht që Mountbatten-Ëindsor të dëshmojë përpara Kongresit, por deri më tani ai nuk është përgjigjur. Ligjvënësit amerikanë nuk kanë kompetencë të lëshojnë urdhër gjykate për persona jashtë SHBA-së, gjë që ka shkaktuar frustrim, megjithëse teorikisht një urdhër i tillë mund të merret në konsideratë nëse ai udhëton në SHBA.