'Rama dhe Balluku të ikin!' Opozita sot në shesh: Protestë kundër korrupsionit, ora 17:00

Opozita zhvillon sot protestë kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e cilësuar si një përballje të drejtpërdrejtë me korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit. Tubimi pritet të nisë në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.

Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, pas skandaleve të fundit dhe bllokimit, sipas saj, të drejtësisë, përmes refuzimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Sipas PD-së, protesta është zëri i qytetarëve që kundërshtojnë pandëshkueshmërinë dhe kapjen e shtetit nga pushteti politik.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka ftuar qytetarë nga e gjithë Shqipëria të bashkohen në protestë, duke theksuar se ajo do të jetë paqësore dhe do të përcjellë mesazhin se shqiptarët “nuk mposhten nga një grusht hajdutësh”. Ai akuzoi qeverinë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përdorim të drejtësisë si armë politike.

Berisha u bëri thirrje edhe forcave të rendit të qëndrojnë në anën e ligjit dhe qytetarëve, ndërsa theksoi se synimi i opozitës është largimi i asaj që e cilëson “qeveria e krimit”.

Me sloganin “Poshtë qeveria e krimit”, opozita fton qytetarët të marrin pjesë sot, në orën 17:00, në protestën kombëtare në Tiranë.