VIDEO SYRI TV/ TID Durrës, banorët revoltë te bashkia

Dhjetëra banorët të lagjes Nr.1 në Durrës, të cilët preken nga projekti TID, përshkallëzuan protestat e tyre kundër bashkisë, duke tentuar që të futen brenda ambientit të institucionit që drejtohet nga Emirjana Sako dhe ku këtë të martë ishte parashikuar të zhvillohej një mbledhje  e këshillit bashkiak.

Ata tentuan disa herë të futen në ambientet e bashkisë, madje janë përplasur edhe me anëtarë socialistë të këshillit bashkiak, që u futën në godinë për të marrë pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak.

Protesta në formë revolte e banorëve erdhi pasi vetëm pak ditë më parë, në adresë të tyre ka mbërritur një njoftim nga bashkia, e cila u kërkon që brenda datës 16 shkurt të lirojnë banesat, pasi do të nisin shembjet e objekteve me qëllim që t`i hapet rrugë projektit TID, që parashikon rikualifikim të zonës historike të Durrësit.

Banorët nuk e ndalën revoltën e tyre, duke tentuar të futen në bashki edhe gjatë kohës që pranë institucionit erdhën e forcat e policisë së shtetit, por këto të fundit ushtruan dhunë duke shoqëruar me forcë disa protestues.

Mbledhja e këshillit bashkiak u braktis nga këshilltarët demokratë, të cilët përkrahën banorët.

Banorët kanë paralajmëruar se do të bëjnë rezistencë duke mos lejuar shembjen e banesave që preken nga projekti, ndërsa kanë paralajmëruar Emirjana Sakon se do të përfundojë njësoj si Belinda Balluku.