Syri TV/ Aksi Elbasan – Cërrik, probleme serioze sigurie! Çarje të thella në asfalt e gropa të shumta

Dikur i promovuar si një investim i rëndësishëm infrastrukturor, aksi Elbasan – Cërrik paraqet probleme serioze sigurie, me asfalt të çarë dhe gropa përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet, duke e konsideruar rrugën të amortizuar dhe të rrezikshme për qarkullim.

Nga SYRI TV

Videot e Syri TV flasin vetë: çarje të thella në asfalt, gropa të shumta dhe segmente të deformuara, që e bëjnë qarkullimin gjithnjë e më të vështirë. Shoferët thonë se, për t’i shmangur këto pengesa, janë detyruar shpesh të manovrojnë në mënyrë të rrezikshme, duke shtuar ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

Banorët e zonës u shprehën për Syri TV se shkaku kryesor i degradimit të shpejtë të rrugës lidhet me përdorimin e materialeve të cilësisë së dobët dhe punimet jo të rregullta që janë kryer që në ndërtim.

Ata theksojnë se aksi duhet të rikonstruktohet plotësisht, pasi ndërhyrjet sporadike nuk kanë dhënë zgjidhje afatgjatë.

Banorët dhe përdoruesit e përditshëm të kësaj rruge u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për të shmangur aksidente të tjera dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit.