‘Protesta për të larguar një qeveri të korruptuar deri në palcë’, Boçi: Rama po mbron veten nga qelia e burgut…
Opozita zbret sërish në shesh, në protestën kombëtare kundër qeverisë. Mijëra qytetarë priten nga i gjithë vendi t'i bashkohen thirrjes për të protestuar para Kryeministrisë, duke artikuluar zemërimin ndaj aferave korruptive dhe keqqeverisjes.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, i ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, deklaroi se nga protesta pritet një pjesëmarrje masive, duke e cilësuar atë si një "kryengritje të madhe paqësore".
Sipas tij, dinamika e protestës do të përcaktohet nga vetë zemërimi qytetar, ndërsa skenarët mbeten të hapur. Pjesëmarrja pritet të jetë e konsiderueshme.
Qëllimi final i këtij cikli protestash, sipas deputetit demokrat, është i qartë: largimi i qeverisë Rama dhe krijimi i një qeverie teknike. Boçi theksoi se një qeveri e tillë do të kishte mandatin për të ndërmarrë dy reforma themelore: reformën territoriale dhe atë zgjedhore. Kjo e fundit shihet si thelbësore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të pa ndikuara nga paraja e krimit dhe nga fenomeni i patronazhimit.
Në qendër të pakënaqësisë së opozitës qëndron afera e ministres Belinda Balluku. E akuzuar për abuzime me fondet publike në vlerën e 1.1 miliardë eurove, mbrojtja e saj e fortë nga kryeministri Rama shihet nga opozita si një përpjekje e kreut të qeverisë për të mbrojtur veten. "Rama nuk po mbron thjesht Ballukun, por po mbron veten e tij," u shpreh Boçi, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia për këtë aferë shtrihet përtej ministres.
Arnold Kariqi: Opozita ka thirrur sot në ora 17 protestën kombëtare të radhës. Unë do të diskutoj me nënkryetarin e Partisë Demokratike, Luciano Boçi. Zoti Berisha e cilësoi pak minuta më parë “derdhje të kupës”. Kupa e Ramës u derdh, të gjithë të marrin pjesë sot në Tiranë. Çfarë pritet të ndodhë? Është protestë e ngjashme me atë të para disa ditëve? Skenarët ndryshojnë zoti Boçi? Na zbuloni pak. Pastaj dalim tek arsyet.
Luçiano Boçi: Së pari Arnold, pritet masivitet, pjesëmarrje e madhe e qytetarëve, gatishmëri që ne e kemi hasur në takimet që kemi zhvilluar, në çdo kontakt qytetar dhe që pritet të dëshmohet sot. Çështja e skenarëve është çështje kurioziteti dhe një protestë ka dinamikën e saj, ka brenda formën e duhur të zemërimit se si shprehet dhe se si transmetohet. Dhe vërtet këto janë zgjidhje dhe zgjedhje të momentit, por jo thjesht momentit, për një arsye të vetme. Që protestuesit gjithmonë kanë në dispozicion gatishmërinë e drejtuesve politikë, të deputetëve të Partisë Demokratike për t'i mbështetur në mënyrën dhe formën si e shprehin ata zemërimin. Dhe sot pretendohet që vërtet protesta të marrë atë formën që zoti Berisha e përcaktoi si kryengritje e madhe paqësore. Dhe ky përcaktim i ka brenda të gjitha elementët e mundshëm të asaj që mund të ngjasë në sheshin para Kryeministrisë, pavarësisht mënyrës se si mund të sillet policia, të cilën e kemi parë në protestën e kaluar. Ishte disproporcionale dhe reagimi ka qenë agresiv ndaj qytetarëve dhe protestuesve. Kanë marrë përgjigjen e merituar dhe nga deputetët dhe nga qytetarët dhe do ta marrin dhe sot krahas thirrjes që i është bërë dje nga zoti Berisha. Ai u ka kërkuar uniformave që vërtet të bashkohen me vëllezërit, motrat, fëmijët, familjet e tyre, në shërbim të një qëllimi, që jeta e tyre të jetë më e mirë, jo vetëm e familjeve të tyre, por dhe e shqiptarëve. Gjithsesi, gjithçka pritet të zbulohet në orën 5 dhe në orët në vazhdim pas pesës dhe unë them që aksioni do jetë i fortë, protestë e fortë, me mesazhe politike që e çojnë mesazhin tek qëndresa, tek vazhdimi i protestës dhe tek synimi që ky proces protestash të arrijë qëllimin e tij. Vërtet kupa, jo është mbushur, është derdhur dhe kjo në raport jo vetëm me faktet dhe provat që dalin për korrupsionin çdo ditë, por dhe me mënyrën dhe formën që ka zgjedhur Rama për t'i bërë presion drejtësisë, presion fakteve dhe të vërtetave me synim që jo të mbrojë thjesht anëtarët e kabinetit të tij.
Ai kërkon sot të ruajë pozitën e vet, të ruajë veten e tij dhe të mbrojë veten e tij nga prangat dhe nga qelia e burgut. Të gjitha indiciet tregojnë qartazi që Rama është drejt kësaj rruge dhe kohëzgjatja e kësaj rruge përcaktohet jo nga dëshira, jo nga reflektimi i Ramës, por përcaktohet nga protesta qytetare dhe nga aksioni politik i Partisë Demokratike.
Arnold Kariqi: Është një protestë që e gjen opozitën më në unison? Kam parasysh këtu Forumin për Dialog, ka patur bisedime. Duket sikur janë zbutur tonet edhe me zotin Lapaj i cili ndodhet prej ditësh në bulevard. Është një protestë e cila ju bashkon pak më tepër me të gjithë fraksionet opozitare?
Luçiano Boçi: Ka një, frymë bashkimi. Po, ka një frymë, bashkimi e cila duket sikur konkludimin do e arrijë sot. Shumë falenderime për iniciuesit e tryezës dhe të forumit për unifikimin e qëndrimit opozitar, se nuk është vetëm iniciativë për të bashkuar partitë politike, është për të unifikuar qëndrimin opozitar që përfshin një spektër më të gjerë, jo vetëm politik, por edhe apolitik, jo vetëm të njerëzve të angazhuar, por dhe të intelektualëve dhe qytetarëve të tjerë që ndoshta më parë kanë qenë larg nga protestat apo nga politikat. Dhe kjo frymë bashkimi sot do të dëshmohet në shesh. Kjo frymë bashkimi sot mund të marrë formën e saj solide dhe që do të jetë një bazë nisje, bashkimi më e plotë në ditët në vazhdim. Sigurisht jemi ndeshur edhe me refuzime, me refuzime që kanë brenda justifikime të paargumentuara, justifikime që nuk janë as politike në fakt, kapërcejnë atë pjesën e politikës, janë justifikime emocionale. Por që unë them që koha do bëjë të vetën dhe ndoshta, në qoftë se nuk kanë synime dhe qëllime të tjera, ato duhet të shuhen në fakt dhe opozita duhet të jetë e bashkuar në arritjen e asaj që sot jo thjesht e kërkon Partia Demokratike, jo thjesht e kërkojnë partitë politike, po sot e kërkon qytetari. Dhe partitë politike janë shprehje e zërit dhe e vullnetit të qytetarëve dhe e lexojnë mirë dëshirën e qytetarëve dhe sjelljen e tyre. Dhe një parti që nuk kupton këtë, pastaj ajo është jashtë kohe, nuk është në koherencën e saj. Thirrja jonë do jetë e vazhdueshme si Partia Demokratike, por dhe e faktorëve të tjerë, vazhdon të jetë e tillë që opozita qytetare, opozita politike duhet të jetë një front me qëllim që të arrihet largimi i kësaj partie shtet, siç e përcaktojnë raportet ndërkombëtare, raporti i OSBE-së, të largohet kjo qeveri e korruptuar deri në palcë, siç është vërtetuar nga institucionet e drejtësisë, dhe siç dëshmohet edhe nga raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, duke u futur i fundit i dalë sot.
Sepse kjo qeverisje ka shkaktuar një krizë jo thjesht politike. Ne jemi në krizë ekonomike, sociale, arsimore dhe shëndetësore. Dhe kjo krizë zgjidhet vetëm me një formulë. Formula është largimi i Ramës nga qeveria, krijimi i një qeverie çfarëdo lloj ta ketë emrin, se janë përmendur shumë emra, por që realizon dy reforma themelore. Atë territoriale që është një interes i drejtpërdrejtë i qytetarit në zonën më të largët të Shqipërisë dhe reformën zgjedhore që lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e votës, që kjo votë të jetë e lirë, e ndershme, e pandikuar nga paraja, nga krimi i organizuar, nga patronazhimi kriminal apo nga format e tjera të industrisë së votës që ka instaluar Rama në Shqipëri...