'Do vritemi'/ Banorët e Baks-Rrjoll: Beci dhe Rama na fajësojnë për protestat, do shkojmë para ambasadave të BE dhe SHBA

Prej ditësh, banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë janë në protestë para Prokurorisë së Shkodrës, duke kundërshtuar me forcë projektin e ndërtimit të një resorti turistik që do të ndërtohej në pronat e tyre. Ata e shohin këtë si një shkelje të të drejtave të tyre dhe një tentativë për të i hequr tokat, të cilat janë trashëgimi e brezave.

Leja për ndërtimin e resortit turistik në Baks-Rrjoll është firmosur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.. Banorët e fshatit janë të vendosur të mos heqin dorë dhe të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, duke ngritur zërin kundër autoriteteve dhe institucioneve që i kanë dhënë leje ndërtimi pa marrë parasysh protestat e qytetarëve dhe pasojat që mund të sjellë ky projekt për jetën e tyre.

Në një takim me Kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, banorët e Baks-Rrjoll shprehën shqetësimet e tyre dhe kërkuan një ndërhyrje të menjëhershme nga pushteti lokal për të ndaluar projektin. Beci, megjithatë, u shpreh se nuk kishte asnjë kompetencë për të ndaluar projektin e ndërtimit, duke theksuar se i kishin hequr kompetencat për këtë çështje. Ai tha se ky nuk ishte një problem që mund të zgjidhej nga Bashkia, duke e cilësuar si një çështje të ndërlikuar dhe ja faturoi qeverisë.

Për banorët e Baks-Rrjoll, përgjigja e kryebashkiakut nuk ishte aspak e kënaqshme. Ata i dhanë një mesazh të qartë: "Nuk presim përgjigje pozitive nga Beci. Dëgjesa publike, ku ai tha se nuk është kompetencë e Bashkisë, ishte e pakuptimtë." Ata e shohin këtë si një ikje nga përgjegjësia dhe një shenjë e pamundësisë për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Një tjetër mesazh i fortë që ata dërguan ishte se nuk kanë asnjë shpresë për një ndërhyrje të qeverisë në zgjidhjen e kësaj çështje. "Nuk presim asnjë shpresë nga kryeministri. Do të shkojmë para ambasadave të Bashkimit Evropian dhe ambasadës amerikane. Të na çojnë në Palestinë ose të jetojmë në tokat tona," thanë ata. 

Në fund, banorët e Baks-Rrjoll kanë bërë të qartë se do të vazhdojnë të luftojnë për tokat e tyre. Ata kërkojnë që autoritetet të respektojnë të drejtat e tyre dhe të ndalin këtë projekt, i cili, sipas tyre, nuk është asgjë tjetër veçse një tentativë për t’i larguar nga shtëpitë e tyre. "Na largoni nga këtu ose do vritemi," theksuan ata, duke nënvizuar gatishmërinë për të shkuar deri në fund për të mbrojtur atë që e quajnë të drejtën e tyre të patundshmërisë.