Stuhia shkul pemët me gjithë rrënjë, shënohen pesë viktima

Pesë persona, përfshirë edhe dy adoleshente që ishin në ekskursion, kanë humbur jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur, si pasojë e rënies së pemëve pas një serie stuhish të forta që goditën Poloninë.

Vajzat 13 dhe 14 vjeç u zunë poshtë nga pemët e shkulura me rrënjë, ndërsa po flinin në një tendë, kur stuhia goditi vendin e tyre të kampingut në pyllin “Tukola” në Poloninë veriore.

“Është e tmerrshme, pemët janë shkulur me rrënjë. Ne kemi mbetur të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Sigurisht janë ekipet e zjarrfikësve që na ndihmojnë, por sidoqoftë, mendojmë për ata fëmijë që ndodheshin në pyll. Është një makth, një tragjedi”, tha një turist.

Tre viktima të tjera humbën jetën si pasojë e pemëve të shkulura dhe 10 vetë u plagosën në incidente të ndara në veri të Polonisë.

Më shumë se 170 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike dhe 800 ndërtesa u dëmtuan në stuhitë që goditën kryesisht pjesën veriore dhe perëndimore të Polonisë.