SYRI TV/ Fier - Punonjësit e ‘SHPSF Serjani’ në protestë: Bankers Petroleum i la në borxhe dhe pasiguri totale

Kanë 7 muaj pa marr rrogat për punën e tyre çka ka sjellë rreth 150 familje në kufinjtë e mbijetesës,

Dhjetëra punonjës të kompanisë së sigurimit të Bankers Petroleum, “SHPSF Serjani” në Fier, janë ngritur në protestë paraditen e sotme, duke denoncuar një situatë dramatike ekonomike që po i çon drejt kolapsit financiar.

Sipas protestuesve, prej 7 muajsh nuk kanë marrë asnjë pagë, ndërsa rreth 150 punonjës aktualë po përballen çdo ditë me vështirësi ekstreme për të mbuluar shpenzimet bazë familjare. Ata shprehen se puna vijon normalisht, por pa pagesë, pa siguri dhe pa asnjë garanci për të ardhmen.

Punonjësit deklarojnë se kompania dikur numëronte rreth 380 të punësuar, por muajt e fundit janë shoqëruar me shkurtime masive, ndërsa ata që kanë mbetur në detyrë janë lënë në pritje të pafundme për pagat e prapambetura. Kjo është protesta e katërt brenda 7 muajve, fakt që, sipas tyre, dëshmon qartë mungesën totale të vullnetit për zgjidhje nga ana e kompanisë.

Protestuesit thonë se janë zhytur në borxhe, kredi dhe detyrime të papërballueshme, ndërsa familjet e tyre po përballen me pasiguri sociale dhe ekonomike. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga drejtuesit e Bankers Petroleum dhe institucionet përgjegjëse, duke theksuar se situata ka kaluar çdo limit durimi.

 “Po punojmë çdo ditë, por pa paga. Jemi të zhytur në borxhe, askush nuk na jep përgjigje konkrete.”

Ndërkohë, punonjësit pohojnë se gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e kompanisë, por, sipas tyre, janë mbajtur vetëm me premtime boshe dhe shpresa të rreme, pa afate dhe pa zgjidhje reale.

Përballë kësaj situate alarmante, protestuesit paralajmërojnë se do të vijojnë protestat paralelisht me punën, deri në momentin kur kërkesa e tyre e vetme dhe legjitime të marrë zgjidhje: pagesa e pagave të prapambetura dhe garanci për të ardhmen e punësimit.