Politikanët reformistë, shënjestra e re e regjimit iranian
Irani i ka arrestuar disa politikanë të shquar reformistë, teksa autoritetet vazhdojnë t'i shtypin me dorë të hekurt disidentët, pas protestave të mëdha anti qeveritare – një prej kërcënimeve më serioze për pushtetin ndër vite.
Mediat iraniane kanë raportuar për arrestimin e Ebrahim Asqarzadehit, Mohsen Aminzadehit dhe Azar Mansurit – anëtarë të koalicionit Fronti Reformist – më 8 janar.
Javad Emam, zëdhënës i koalicionit, është arrestuar më 9 shkurt.
Autoritetet kanë përdorur forcë brutale për t’i shtypur protestat mbarëkombëtare që kanë shpërthyer në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke vrarë mijëra njerëz, sipas të dhënave të organizatave për të drejtat e njeriut.
Prej atëherë, autoritetet kanë nisur një fushatë të arrestimeve masive dhe kanë shënjestruar aktivistë të shquar dhe figura politike.
Teherani ka thënë se fajtorë për trazirat ishin “terroristët e armatosur”, të cilët, sipas tij, janë përkrahur nga armiqtë e Iranit: Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Ende nuk është bërë e qartë se çfarë akuzash rëndojnë mbi politikanët reformistë.
Agjencia e lajmeve Mizan, e lidhur me gjyqësorin e Iranit, ka thënë më 9 shkurt se janë arrestuar “elementët aktivë në interes të regjimit zionist dhe Shteteve të Bashkuara”.
Katër persona janë arrestuar dhe akuzuar, ka thënë agjencia, pa ofruar më shumë hollësi.
Mizan i ka akuzuar katër personat se kanë punuar “për të shkatërruar kohezionin kombëtar duke bërë akuza dhe duke shpërndarë pozicione të pavërteta kundër shtetit” gjatë protestave masive.
Mansuri e ka udhëhequr Frontin Reformist prej vitit 2023. Ajo ka shërbyer si këshilltare e ish-presidentit reformist, Mohammad Khatami.
Asqarzadeh ishte dikur anëtar i Parlamentit, ndërsa Aminzadeh ishte zëvendësministër i Jashtëm sa Khatami ka qenë në pushtet.
Aktivisti dhe ish i burgosuri politik, Hossein Razzaq i ka thënë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se autoritetet janë duke shtypur çdo formë disidence.