‘Makineri varësie’ për të rinjtë, nis gjyqi në SHBA ndaj Instagram dhe YouTube

Një proces gjyqësor me rëndësi të veçantë ka nisur në Kaliforni ndaj kompanive më të mëdha të rrjeteve sociale në botë, të cilat akuzohen se kanë krijuar platforma të projektuara qëllimisht për të nxitur varësi te përdoruesit e rinj.

Gjyqi po shqyrton ndikimin e Instagram dhe YouTube në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve, raporton BBC.

Gjyqi po zhvillohet në Gjykatën e Lartë të Los Angelos, ku avokati Mark Lanier, përfaqësues i paditëses së identifikuar me inicialet K.G.M., pretendon se klientja e tij ka zhvilluar probleme serioze të shëndetit mendor si pasojë e varësisë nga rrjetet sociale.

“Kompanitë ndërtuan makineri të dizajnuara për të varur trurin e fëmijëve, dhe e bënë këtë me vetëdije”, deklaroi Lanier gjatë fjalës hapëse para gjykatës dhe jurisë.

Akuza për manipulim të përdoruesve të rinj

Sipas avokatit, Meta, kompania mëmë e Instagram dhe YouTube, në pronësi të Google, nuk paralajmëruan përdoruesit e rinj për rreziqet që mund të vinin nga dizajni i platformave të tyre. Ai paraqiti gjithashtu dokumente të brendshme dhe komunikime elektronike që, sipas tij, tregojnë se kompanitë synonin rritjen e kohës së përdorimit nga përdoruesit.

Në një email të vitit 2015, të paraqitur në gjykatë, drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, kërkonte rritje prej 12% të kohës që përdoruesit kalonin në platformat e kompanisë, për të përmbushur objektivat e biznesit.

Sa i përket YouTube, Lanier argumentoi se platforma synonte përdoruesit e rinj për arsye komerciale, duke qenë se reklamuesit paguanin më shumë për këtë audiencë.

Ai gjithashtu akuzoi kompaninë se përfitonte nga prindërit e zënë duke e kthyer platformën në një formë “kujdestarie digjitale” për fëmijët.

Mbrojtja: Problemet lidhen me faktorë familjarë

Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të Meta dhe YouTube kundërshtuan pretendimet, duke argumentuar se problemet e paditëses lidhen me rrethana personale dhe familjare, jo me përdorimin e rrjeteve sociale.

Avokati i Meta-s, Paul Schmidt, theksoi se K.G.M. kishte përjetuar probleme serioze familjare, përfshirë neglizhencë, abuzim verbal dhe fizik, si dhe bullizëm nga prindërit. Sipas tij, dokumentet tregojnë se ajo kishte ndjekur terapi që në moshën tre-vjeçare.

Gjyqi pritet të zgjasë rreth gjashtë javë dhe mund të krijojë precedent për mijëra procese të ngjashme në Shtetet e Bashkuara.