Opozita në Uashington, Mediu: Krimi dhe korrupsioni, shqetësimet kryesore të SHBA për Shqipërinë
Një delegacion i opozitës ka zhvilluar një vizitë intensive në Uashington, ku ka diskutuar çështje kyçe si korrupsioni, zgjedhjet dhe krimi i organizuar. Gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqet” në Syri tv, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu zbardhi detaje nga takimet e mbajtura, duke theksuar se narrativa e opozitës është në përputhje të plotë me shqetësimet e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Mediu konfirmoi se temat kryesore të diskutuara ishin ato që përbëjnë edhe shqetësimin parësor të Shteteve të Bashkuara: lufta kundër trafikut të drogës, krimit të organizuar, korrupsionit qeveritar dhe lidhjeve me kartelet e drogës. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri ai tha se, këto pika kanë qenë në qendër të çdo takimi.
Kreu republikan theksoi se qëndrimi i SHBA-së mbetet i qartë dhe i pandryshuar. Ai përmendi si provë Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (National Defense Authorization Act), i miratuar nën Presidentin Trump, i cili e përcakton qartësisht korrupsionin si një element problematik për sigurinë dhe adreson ndikimet e huaja malinje.
Flavio Qarri: Sigurisht në kakofoninë e hallakatshme të zhvillimeve të shumta dhe intensive të ditëve të fundit, miq të dashur, na kishte shpëtuar pak nga vëmendja kjo vizitë e kampit opozitar në bllok në Uashington. Megjithatë detajet duam t'i zbulojmë me Fatmir Mediun. Tani një pyetje kam unë, le ta fillojmë me kritika. Mos ndoshta ishit pak më të butë se ç'duhet se ndërkohë që raporti dhe Evropa kanë filluar t'ju thyhet veshi me termin narkoshtet, ju mu dukët paksa elegant edhe politikisht korrekt në etiketimet tuaja?
Fatmir Mediu: Nuk e di për çfarë e keni fjalën, por në qoftë se do kritikë, po ju them që ishim më tepër se ç'duhet në Uashington. Sepse zëri i opozitës mjafton të përfaqësohet nga një grup. Megjithatë kjo është çështje e gjithsecilit që domethënë kërkon të merret edhe me politikën e jashtme. E dyta, mendoj që narrativa ka qenë në të njëjtën linjë me atë që ka opozita shqiptare. Shqetësimin e parë dhe kryesor Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë luftën kundër trafiqeve të drogës, krimit të organizuar, korrupsionit qeveritar dhe lidhjet me kartelet e drogës. Dhe kjo ka qenë pjesë e diskutimit dhe narratives në të gjitha takimet që ne kemi bërë.
Por ju përmendët dy takime, një takim me Institutin Republikan Amerikan dhe Institutin Demokratik Amerikan. Qëllimi i këtyre dy takimeve ishte, në mënyrë të padiskutueshme marrëdhënia e opozitës në kuadër të organizimit të saj politik dhe elektoral me Institutin Republikan Amerikan, i cili ka qenë që në fillimet e viteve '90, instituti i cili ka mbështetur Partinë Demokratike dhe Partinë Republikane në organizimin e saj politik, por edhe në sfidat elektorale. Dhe rikthimi i kësaj marrëdhënieje dhe dakordësia për t'u rikthyer në këtë marrëdhënie është jashtëzakonisht e vlefshme duke pasur parasysh edhe nismën e forumit për dialog, për të pasur një opozitë të bashkuar.
Instituti Republikan Amerikan ka pasur politika në shumë vende, ka arritur që të unifikojë opozitën dhe të krijojë një strategji pozitive, fituese dhe shpresoj që kjo t'i shërbejë apo të fillojë të zbulohet edhe në Shqipëri.
Po e njëjta gjë dhe me Institutin Demokratik Amerikan, i cili në mënyrë të vazhdueshme merret me parlamentin dhe parlamentarët. Ky ishte sfondi i diskutimeve, pa lënë jashtë diskutimit atë çka parashtruat ju si çështje. Se dua të jem tërësisht korrekt, me takimet që u zhvilluan, për të mos vendosur gjëra të cilat nuk janë diskutuar sipas dëshirës tonë. Pastaj, mendoj një takim shumë i rëndësishëm ka qenë takimi në Departamentin e Shtetit. E zhvilluar në nivelin politik, pastaj edhe në nivelin e luftës kundër trafikut. Dy takime me kolegë të opozitës.
Flavio Qarri: A mund të na tregoni diçka zoti Mediu, cila është qasja e vërtetë, se besoj edhe ju veçanërisht, por i gjithë kampi opozitar keni qenë nën një presion le të themi, pas ardhjes së presidentit Trump, ku e keni Trump-in, çfarë ka bërë Trump-i, ku e keni administratën e re, ku i keni amerikanët e rinj. Vazhdon kryeministri tallet me Chris Lacivita. Vazhdon një presion që edhe amerikanët ndryshuan, por ky ja gjeti anën. A ka një ndryshim të qasjes së administratës amerikane ndaj pushtetit shqiptar?
Fatmir Mediu: Tani do merremi me fjalët e pazarit të njerëzve të Edi Ramës nëpër media apo do merremi me realitetin? Në qoftë se flasim me realitetin, realiteti është ai që përcillet, Se për të lozur mediatikisht, për të paguar analistë e gazetarë, për të bërë të zezën të bardhë e të bardhën të zezë, domethënë kjo ndodh në Shqipëri. I ka të gjitha burimet dhe kontrollin mbi median Edi Rama.
Kurse qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë ka qenë i qartë. Luftë kundër korrupsionit, luftë kundër trafiqeve edhe lidhje me kartelet e drogës. Kjo është e përcaktuar në çdo qëndrim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kur kanë vajtur autoritete shqiptare në Amerikë, ashtu edhe kur kanë ardhur përfaqësues të Shteteve të Bashkuara këtu. Ky mesazh ka qenë më se i qartë dhe vazhdon të jetë i qartë.
Pra, po ta shikosh në kompleks, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i prerë në raport me politikën shqiptare. Por ajo që dua të them këtu pa u fshehur është, Shqipëria nuk është qendra e botës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtu duhet të jemi pak më të vëmendshëm. Domethënë, unë nuk lidhem fare me faktin se kë takoi Rama, si e takoi Ramën. Rama sot është pa të drejtë kryeministri i vendit, për shkak të manipulimit të zgjedhjeve, por prapë ka statusin e kryeministrit të vendit. Dhe në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, do gjendet një moment ku edhe mund të takohet me Presidentin Trump, sepse ka samite, ka takime të vazhdueshme në të cilat përfaqësohen drejtues të shteteve. Dhe në këtë pikëpamje është gjithmonë një oportunitet për të bërë një foto…