Penalltitë e 'USA ‘94', Albertini: Një lojtar i Milanit dhe një i Interit u fshehën...

Finalja e Botërorit “USA ’94” mbetet një nga plagët më të dhimbshme në historinë e Kombëtares italiane dhe, pas më shumë se tri dekadash, dalin ende në dritë detaje të pathëna. Demetrio Albertini, në një intervistë të gjatë për ‘La Gazzetta dello Sport’, ka rrëfyer një prapaskenë të fortë nga momentet para serisë së penalltive ndaj Brazilit.

Ish-mesfushori i Milanit, i cili realizoi një nga pesë penalltitë e Italisë, e përshkroi humbjen si tepër të rëndë, por theksoi se në atë kohë ishte vetëm 22 vjeç dhe me gjithë karrierën përpara. “Sacchi më pyeti nëse e ndieja veten për të goditur dhe unë shkova pa u menduar. Ndërsa kishte edhe nga ata që u fshehën pas stolit vetëm për të mos gjuajtur”, tregoi Albertini. Më pas shtoi: “Nuk do t’i them kurrë emrat, por një luante te Milani dhe tjetri tek Interi”.

Edhe pse Albertini nuk i përmendi drejtpërdrejt, identiteti i lojtarëve është relativisht i lehtë për t’u kuptuar. Te Interi, i vetmi futbollist i grumbulluar në atë Botëror ishte Nicola Berti, i cili sipas këtij rrëfimi do të kishte shmangur përgjegjësinë e penalltisë. Sa i përket Milanit, dy janë emrat më të mundshëm: Paolo Maldini dhe Roberto Donadoni, ky i fundit i ngarkuar ende nga penalltia e humbur në gjysmëfinalen e Botërorit 1990 kundër Argjentinës.

Një rrëfim që hedh dritë mbi presionin ekstrem të atyre momenteve dhe mbi peshën që një penallti mund të ketë në historinë e futbollit. Finalja e ‘94-ës vazhdon të zbulojë prapaskena, edhe pas më shumë se 30 vitesh.