Inter, Dumfries drejt rikthimit: Jam në fazën finale, është vetëm çështje javësh

Denzel Dumfries po i afrohet gjithnjë e më shumë rikthimit në fushë dhe sinjalet që vijnë nga mbrojtësi i Interit janë tepër pozitive. Holandezi ka folur hapur për gjendjen e tij fizike, duke konfirmuar se faza më e vështirë e dëmtimit është lënë pas dhe se kthimi në dispozicion të skuadrës është tashmë në horizont.

I intervistuar nga mediat holandeze të NOS, gjatë finales së garës së patinazhit të shpejtë në 1000 metra për femra, Dumfries u shpreh optimist: “Jam në fazat përfundimtare, ndaj shpresoj të rikthehem sa më shpejt të jetë e mundur. Është vetëm çështje javësh, edhe pse ende nuk ka një datë të saktë”.

Fjalë që i japin qetësi trajnerit dhe tifozëve zikaltër, sidomos në një moment vendimtar të sezonit, ku Interi është i angazhuar në disa fronte. Dumfries konfirmoi gjithashtu se ka rifilluar stërvitjen në fushë dhe punën me topin: “Po stërvitem tashmë në fushë dhe me topin. Po më rikthehet shumë dëshira për të luajtur”, tha ai, duke lënë të kuptohet se rikthimi i tij nuk është larg.

Asnjë shqetësim nuk ekziston për angazhimet me Kombëtaren e Holandës dhe për Botërorin e verës, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. “Do të jem patjetër aty. Nuk jam i shqetësuar aspak për Kampionatin Botëror”, theksoi Dumfries.

Rikthimi i tij do të ishte një armë shumë e rëndësishme për Interin në fazën vendimtare të sezonit. Denzel Dumfries pritet të rikthehet në fushë brenda pak javësh, duke dhënë sinjale shumë pozitive për Interin.