Serie A/ Roma merr ndaj Cagliarit tre pikë të çmuara për zonën Champions

Roma ka arritur një fitore të madhe në Serie A, duke vazhduar garën tashmë për top katërshe dhe kualifikim direkt në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e drejtuar nga Gian Piero Gasperini triumfoi 2-0 ndaj Cagliarit, me nga një gol të shënuar për çdo pjesë.

Nënshkrimi i janarit, Donyell Malen shkëlqeu me dy gola në këtë ndeshje, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon.

Holandezi shënoi fillimisht në minutën e 25-të, pas asistimit nga Gianluca Mancini.

Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë, teksa në të dytën Roma e shënoi edhe golin e dytë dhe të fitores në këtë ndeshje.

Malen shënoi në minutën e 65-të për 2-0, pasi u asistua nga Zeki Çelik.

Me këtë fitore, Roma shkon në kuotën e 46 pikëve, në vendin e pestë, aq sa ka edhe Juventusi një vend më lart.

Interi e kryeson tabelën me 58 pikë, teksa para Romës janë Milani e Napoli, që zënë pozitat 2 dhe 3.

Cagliari në anën tjetër është në vendin e 12-të me 28 pikë.