U dënua me 1 vit burg, kryebashkiaku i Rrogozhinës vetëdorëzohet në polici

Është vetëdorëzuar në polici kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla. Sipas gazetarit të Syri TV, Fatjon Gjinaj, Memolla është vetëdorëzuar pasditen e sotme, pasi u shpall fajtor për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim, dhe u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit e Posaçme.

Si dënim plotësues, gjykata vendosi t’i heqë Memollës edhe të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Edison Memolla u akuzua nga Prokuroria e Posaçme se kishte ndikuar te elektricisti Blerim Xhamani, me qëllim që ky i fundit të mos i ndërpriste energjinë elektrike një abonenteje debitore, në mënyrë që ajo të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, ku ai garoi nën siglën e Partisë Socialiste.