Vasili: A duhen dëgjuar më ndërkombëtarët që heshtin përballë mbrojtjes së korrupsionit nga Rama?
Nga Petrit Vasili
Edi Rama tashmë, pas çështjes Balluku, ka arritur kulmin e mbrojtjes së hapur ndaj korrupsionit me veprime që shembin përdhe Kushtetutën, ligjin dhe reformën në drejtësi. Opozita shqiptare ka treguar një gatishmëri të madhe të bashkëpunojë me ndërkombëtarët, nisur nga roli i madh dhe imponues i tyre në zhvillimet e vendit.
Kjo gatishmëri e opozitës ndaj tyre është shfaqur edhe si një kompleks i saj për të mos folur fort dhe pa doreza me ta, kur roli i tyre është treguar qartë në mbështetje të Ramës dhe qeverisë. Ndërkombëtarë mizerabël kanë ardhur dhe kanë ikur në Shqipëri, duke lënë pas dëme të mëdha. Mjaft prej këtyre ndërkombëtarëve, kur janë kthyer në vendet e tyre, janë flakur si leckë nga administratat e tyre për shkak të korrupsionit dhe diskreditimit të tyre.
Ndaj, opozita shqiptare duhet të adoptojë një sjellje thelbësisht të re ndaj ndërkombëtarëve, duke u sjellë me ta pa kompleksin më të vogël, si dhe t'u tregojë me gisht atyre dy standartet e sjelljes: nga njëra anë mbështetjen e tyre ndaj narkoqeverisë së korruptuar gjer në palcë të Ramës dhe nga ana tjetër demonizimin e opozitës dhe mbylljen e syve ndaj denoncimeve tronditëse të saj.
Opozita duhet të pyesë sot publikisht dhe me zë të lartë:
Po ku janë ndërkombëtarët? Ku janë fshehur, ku janë zhdukur?
Ku janë ndërkombëtarët që ulërinin për prishjen e kërpudhës me pllaka majolike tek kryeministria nga protestat e mëdha të opozitës? Pse heshtin dhe kanë mbyllur gojën sot, kur drejtësia pengohet hapur nga Rama?
Ku janë ndërkombëtarët që kanë bërë sistematikisht një superprotagonizëm kaq të ekzagjeruar e kanë folur për çdo gjë të parëndësishme në Shqipëri?
Ku janë ndërkombëtarët që shohin se si Reforma në Drejtësi u shqye dhe u kap nga Rama dhe sot i dha edhe grushtin përfundimtar me çështjen Balluku?
Ku janë ndërkombëtarët që hodhën qindra milionë euro të taksave të qytetarëve të tyre për Reformën në Drejtësi që asgjësoi Rama?
Ku janë ndërkombëtarët që krijuan SPAK-un special për të hetuar korrupsionin e qeveritarëve dhe që sot Rama as që e llogarit fare, por tallet me të?
Ku janë ndërkombëtarët që dje ulërinin për respektimin e standarteve të drejtësisë kur arrestohej ndonjë ministër i qeverisë së Ramës, ndërsa sot heshtin përpara mijëra fakteve flagrante të korrupsionit të tmerrshëm, që po mbrohet me dhunë antiligjore nga Rama dhe deputetët e tij në Kuvend?
Ku janë ndërkombëtarët që dje ulërinin e kërcënonin për votimin me çdo kusht e me çdo mjet të reformës në drejtësi dhe u çonin SMS kërcënuese deputetëve përpara votimit?
Ku janë ndërkombëtarët që kishin ngrënë nga supa e prishur e qeverisë dhe kërcënonin opozitën se do të hante bar, për arsye të vetme sepse opozita nuk pranonte të shitej tek narkoqeveria e Ramës?
Pas këtyre pyetjeve, që ndërkombëtarët nuk guxojnë t'u përgjigjen, pyetja tjetër e madhe që lind është: A duhen dëgjuar më ndërkombëtarët që heshtin dhe mbyllin sytë e veshët përpara korrupsionit që po shemb përtokë shtetin ligjor dhe po betonon pandëshkueshmërinë?