Populli ukrainas do të nderohet me çmimin e Konferencës së Sigurisë së Mynihut

Guximi dhe sakrifica e popullit ukrainas përballë sulmeve ruse do të nderohen në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, thanë organizatorët të hënën.

Presidenti Volodymyr Zelensky do të pranojë Çmimin ´Ewald von Kleist´ në emër të ukrainasve në një ceremoni të vogël të shtunën në mbrëmje, në kuadër të takimit vjetor të liderëve politikë dhe ushtarakë globalë, thanë ata.

Kryeministri polak Donald Tusk është planifikuar të mbajë fjalimin lavdërues.

"Për më shumë se një dekadë, populli ukrainas ka luftuar për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e tij - së pari në Krime dhe Donbas, pas pushtimit të Rusisë në vitin 2014, dhe më vonë në të gjithë vendin e tij pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në vitin 2022", tha kryetari i konferencës, Wolfgang Ischinger, në një deklaratë.

"Megjithatë, pavarësisht vështirësive të mëdha që ata durojnë, brutalitetit me të cilin përballen dhe sakrificave që vazhdojnë të bëjnë, vendosmëria e popullit ukrainas për të mbrojtur lirinë e vendit të tyre - dhe në fakt të të gjithë Evropës - mbetet e pathyeshme", tha ai.

Çmimi mban emrin e Ewald von Kleist, i cili themeloi konferencën Internationale Wehrkunde (Studime Ndërkombëtare të Mbrojtjes), pararendëse e Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

Si një oficer i ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte i përfshirë në një komplot të dështuar për të vrarë Adolf Hitlerin, përpara se më vonë të bëhej botues librash dhe të lançonte forumin vjetor.

Fituesja e vitit të kaluar ishte shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila u nderua për mbledhjen e mbështetjes për Ukrainën.

Edicioni i 62-të i konferencës pritet të mirëpresë rreth 60 liderë botërorë kur të hapet për tre ditë diskutimesh në qytetin bavarez duke filluar të premten. DPA News.