VIDEO/ Berisha: Nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, Rama do ketë fatin e Enver Hoxhës për së gjalli
Gjatë fjalës së mbajtur para qytetarëve dhe mbështetësve në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, kryedemokrati Sali Berisha, e ka cilësuar protestën e nesërme si një moment kthese për fatet e vendit. Duke e vënë theksin te raportet me Brukselin, Berisha deklaroi se Edi Rama ka zgjedhur izolimin e Shqipërisë, dhe mbrojtjen e korrupsionit përpara integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas kryetarit të PD-së, qeveria aktuale po vepron si një ‘organizatë kriminale’ që po asgjëson shtetin ligjor për të mbrojtur pasuritë e paligjshme.
Berisha evokoi frymën e viteve '90, duke u shprehur se, opozita është ‘lokomotiva’ e vetme që mban gjallë ëndrrën europiane të shqiptarëve, ndërsa Edi Rama do të ketë fatin e Enver Hoxhës, për së gjalli.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Miq, në Bruksel, Edi Ramës do i transmetohej një mesazh: Mos pengo drejtësinë se ne të mbyllim derën.
Ishte i thjeshtë.
Sot në mëngjes Edi Rama u përgjigj: më mbyllni derën se lëkurën time nuk e shes kurrë, se Lubinë nuk e dorëzoj, se po të dorëzoj Lubinë, duhet të dorëzoj veten time.
Pra, sonte çdo shqiptar ndodhet para këtij kërcënimi të tmerrshëm, madhor.
Edi Rama me vendimin e sotëm u tha shqiptarëve se integrimin e japim, por korrupsionin nuk e dorëzojmë. Por veten tonë, lëkurën tonë nuk e dorëzojmë.
Në këtë kuadër, protestat tashmë janë jetike dhe vendimtare për të shpëtuar atë ëndrrën që nuk ishte vetëm e jona, nuk është vetëm e jona, nuk ishte vetëm e studentëve të viteve ’90, por atë ëndërr që ishte e formësuar nga Rilindja jonë, të cilët për Shqipërinë parajsë, konsideronin ta shihnin zonjë mdis kombeve të tjera evropiane.
Kjo ëndërr e Rilindjes u bë ëndërr e rinisë shqiptare në vitet ’90, u bë motiv kryesor i asaj në luftën kundër diktaturës komuniste.
Në ndjekje të saj, PD, lokomotivë e proceseve të integrimit, ia doli të firmosë MSA-në.
Ia doli të liberalizojë vizat.
Ia doli të marrë rekomandimin për statusin e kandidatit.
Pra, ne ishim lokomotiva e integrimit në BE.
Programi ynë ka qëllimin më madhor, integrimin e Shqipërisë në BE.
Pas çlirimit të Kosovës, interesi ynë kombëtar, ylli ynë polar është integrimi i Shqipërisë në BE.
Tani, një bajloz i zi, një organizatë kriminale, do t’u mbyllë shqiptarëve rrugën drejt Europës.
Do të asgjësojë drejtësinë, shtetin ligjor, Kushtetutën, për të mbrojtur paratë e krimit, vilat, apartamentet, kontot bankare brenda dhe jashtë.
Shqiptarë, a do pranoni ju këtë?
Kurrë.
Ndaj dhe nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, për dyert e hapura të Shqipërisë.
Nesër, mesazhi ynë është një dhe vetëm një, mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve, se fatin e Enver Hoxhës do kesh edhe ti për së gjalli.