Trafik droge dhe rrëmbim personi për 100 kg kokainë, Apeli ul dënimet
Gjykata e Apelit në Genova, Itali, ka ulur ndjeshëm dënimet për tetë persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe rrëmbim personi, pas një marrëveshjeje mes mbrojtjes dhe Prokurorisë.
Në shkallë të parë, grupi ishte dënuar në total me mbi 109 vite burg, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar 116 vite. Me vendimin e Apelit, dënimet për të pandehurit kryesorë janë përgjysmuar: nga 18 vite e 8 muaj në 7 vite burg, si dhe nga 20 në 10 vite burg.
Sipas hetimeve të Guardia di Finanza, organizata kriminale përbëhej nga shtetas amerikano-jugorë dhe shqiptarë dhe kishte tentuar të importonte 100 kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut drejt rajonit të Ligurias. Pas dështimit të operacionit, grupi kishte rrëmbyer një person në Genova.
Hetimet zbuluan se trafikantët ishin mbështetur te një punëtor portual në Genova për të tërhequr ngarkesën e drogës, pa e ditur se ai ishte një efektiv i Guardia di Finanza që vepronte nën mbulim. Ngarkesa e kokainës u sekuestrua gjatë një kontrolli në Panama, çka solli përshkallëzimin e situatës dhe rrëmbimin e ndërmjetësit mes grupit kriminal dhe “punëtorit” të rremë portual.
Automjeti me personin e rrëmbyer u ndalua më pas nga policia, duke bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale.