Ish-gjyqtari: Mosvendimi i Kushtetueses i hap rrugë ndërhyrjeve të ekzekutivit mbi drejtësinë

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, i ftuar në emisionin “Task-Forcë” në Syri TV me moderatore Sonila Meço, ka analizuar zhvillimet e fundit lidhur me qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se mungesa e një vendimi përfundimtar krijon hapësira për ndërhyrje të ekzekutivit.

Sipas Muçit, ndonëse formalisht nuk ka vendimmarrje për shkak të barazisë së votave, leximi “mes rreshtave” i qëndrimeve të gjykatës tregon një prirje që favorizon zgjerimin e mbrojtjes institucionale për qeverinë, duke rrezikuar balancën kushtetuese mes pushteteve.

Besnik Muçi: Shiko, tani unë nuk do marr përsipër të analizoj me thënë të drejtën raportet e drejtësisë me Edi Ramën dhe qëndrimin e Edi Ramës në raport me vendimet e drejtësisë. Ajo që unë kam bërë dhe do bëj është të analizoj, të shpjegoj se ashtu si unë e kam kuptuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E para njëherë duhet të them qartësisht që Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë vendim përfundimtar. Pra nuk kemi vendim lidhur me çështjen e konfliktit të supozuar të kompetencës midis SPAK-ut ose Gjykatës së Posaçme në këtë rast dhe Këshillit të Ministrave ose kryeministrit për t'i propozuar presidentit emërimin e ministrave. Pra sepse Gjykata Kushtetuese nuk mund të shprehej me vendim përfundimtar sipas Kushtetutës dhe ligjit të organizimit të Gjykatës Kushtetuese, që të kemi një vendim përfundimtar duhet të votojnë pro tij shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pra duhet të votojnë pesë anëtarë.

Kështu që katër me katër ne nuk kemi vendimmarrje. Megjithatë, duke qenë se nuk ka vendimmarrje, natyrisht që ajo çka do shprehet ose ky lloj vendimi nuk mund të shërbejë natyrisht në të ardhmen si precedent kushtetues, pra si rregull i përgjithshëm interpretimi i Kushtetutës në gjykimet e ardhshme, qoftë në veprimin e institucioneve të tjera por edhe në gjykimet e ardhshme të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që na ngelet ne për të thënë është ajo që unë para pak çastesh e përmenda, të lexojmë midis rreshtave të të njoftimit të Gjykatës Kushtetuese për qëndrimet që ajo ka mbajtur lidhur me çështjen objekt diskutimi. Ajo që unë kam konstatuar, që konstatoj midis rreshtave është që pavarësisht qëndrimeve të katërshave, pavarësisht jo vendimmarrjes, konstatoj që ka një në heshtje, themi ka një qëndrim të Gjykatës Kushtetuese që ja hap rrugën Këshillit të Ministrave, kryeministrit ose parlamentit që të bëjë ndërhyrje, qoftë kushtetuese, qoftë në ligjin, Kodin e Procedurës Penale në lidhje me pezullimin e funksionarëve të zgjedhur.

Ja pse. Sidomos katërshja, edhe tetëshja, por sidomos katërshja, pranon faktin që ka një precedent kushtetues që është rasti i, rasti i gjykimit të zotit Berisha, në të cilin thuhet që aty përcaktohet, domethënë bëhet një interpretim kushtetues i imunitetit të deputetit dhe aty qartësohet që imuniteti nuk është një tagër, nuk është një mbrojtje më shumë personale e deputetit sesa një mbrojtje e funksionit të parlamentit. Dhe katërshja pro Ballukut po themi në këtë rast, përpiqet që të krijojë një normë të re kushtetuese ose të krijojë hapësirën me një normë të re kushtetuese nëpërmjet këtij parimi, duke e zhvendosur tiparin, pra të mbrojtjes së funksionimit të parlamentit, në mbrojtjen e funksionimit të ekzekutivit.

Pra sikurse deputeti i cili gëzon, unë s'e kuptoj këtë fakt, nuk e thotë katërshja e parë, gëzon imunitet jo personal por për shkak se duhet të ruhet institucioni, pra parlamenti, funksionimi i parlamentit, edhe anëtari i qeverisë duhet të gëzojë këtë mbrojtje të deputetit për shkak se do ruhet funksionimi i Këshillit të Ministrave, pra i qeverisë.