Rinas/ Dy persona kapen me para të padeklaruara në kufi, sekuestrohen mbi 26 mijë euro dhe paundë

Dy raste të mosdeklarimit të shumave monetare janë goditur në Pikën e Kalimit Kufitar të Rinasit, ku autoritetet kanë sekuestruar mbi 26 mijë euro dhe paundë, ndërsa dy shtetas janë proceduar penalisht.

Burime zyrtare bëjnë me dije se gjatë kontrolleve të ushtruara në bazë të analizës së riskut, në vijën e dytë të kontrollit u konstatuan dy raste të tentativës për të futur dhe nxjerrë nga territori i Shqipërisë shuma parash pa i deklaruar sipas ligjit.

Në rastin e parë, një 37-vjeçar shqiptar, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, u kap me 15 000 paundë, të cilat dyshohet se po tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar. Ndërsa në rastin e dytë, një 32-vjeçar nga Kamza u ndalua pasi gjatë kontrollit iu gjetën 11 370 euro, që dyshohet se synonte t’i nxirrte jashtë vendit pa i deklaruar.

Shumat monetare janë sekuestruar si provë materiale, ndërsa ndaj dy shtetasve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.