Haaland, i mahnitur pas fitores së City-t: Donnarumma? Është portieri më i mirë në planet
Erling Haaland u shfaq tepër i lumtur pas fitores me përmbysje 2-1 të Manchester City-t ndaj Liverpool-it në “Anfield”, në një nga sfidat më të forta të Premier League. Ndeshja u zhbllokua nga Szoboszlai me një goditje dënimi spektakolare, ndërsa Bernardo Silva barazoi rezultatin. Goli i fitores erdhi nga pika e bardhë, me Haaland që u tregua i saktë pas penalltisë së fituar nga Nunes.
Por përveç golit vendimtar të sulmuesit norvegjez, në qendër të vëmendjes ishte edhe Gianluigi Donnarumma. Portieri i Kombëtares italiane dhe i skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola ishte vendimtar me një pritje të jashtëzakonshme, duke ndalur Mac Allister-in dhe duke shmangur barazimin në minutat vendimtare.
“Një ndjesi e pabesueshme!”, u shpreh Haaland pas ndeshjes. “Kur shënoi Bernardo, ishte një emocion i çmendur. Unë shpresoja të festonte pak më shumë, por ai donte menjëherë një gol tjetër dhe këtë mentalitet e dua shumë”, tha ai me shaka. Sa i përket penalltisë, Haaland pranoi presionin: “Isha shumë nervoz para goditjes. Mendoja vetëm ta fusja topin në rrjetë. Në ndeshjen e parë nuk ia dola, ndaj jam stërvitur shumë. Jam i lumtur që shënova”.
Në fund, fjalët më të forta i rezervoi për Donnarumma-n: “E dimë sa e vështirë është të luash këtu. Ata patën momente të mira në pjesën e dytë, por ne rezistuam. Dhe shikoni Gigion: ajo pritje ndaj Mac Allister ishte jashtë kësaj bote. Për mua, ai tregon pse është portieri më i mirë në planet”.