SYRI TV/ Kuçovë, pensionistët në kufijtë e mbijetesës, të harruar krejtësisht nga shteti

Pensionistët në qytetin e Kucovës ndihen të braktisur nga shteti. Ata pohojnë se pensioni mujor nuk u del as për ushqime, e jo më për të blerë ilaçet apo të plotësojnë nevojat e tjera jetësore. Sipas pensionistëve, pavarësisht propagandës, pensionet e tyre kanë mbetur në nivelet e disa viteve më parë.

Qeveria ka lënë në harresë të plotë personat e moshës së tretë në qytetin e Kucovës. Të braktisur nga shteti dhe me fëmijët në emigracion, çdo ditë jeta për pensionistët në këtë qytet është një sfidë në kufijtë e mbijetesës.

Ata tregojnë se pensioni që marrin nuk u mjafton dhe jetesa, si dhe kujdesi shëndetësor për ta, janë të papërballueshëm. Pensionistët shprehen se bëjnë një jetë tejet të vështirë dhe se pensionet e tyre, pavarësisht propagandës së qeverisë, kanë mbetur në nivelet e disa viteve më parë. Ata pohojnë se, me aq pak lekë sa marrin në muaj, me zor arrijnë të blejnë ushqime, pasi çmimet rriten çdo ditë.

Pensionistët pohojnë se, nëse nuk do të ishte për të ardhurat që u dërgojnë fëmijët nga emigracioni, për ta do të ishte e pamundur të kalonin muajin.

Ata i kërkojnë qeverisë rritjen e pensioneve dhe më shumë vëmendje ndaj kësaj shtrese, e cila prej vitesh jeton në vorbullën e skamjes, varfërisë, mjerimit dhe shpërfilljes.