Rama vazhdon grushtin e shtetit: Nuk do e heqim imunitetin e Ballukut, do ndërhyjmë në legjislacion
Edi Rama vazhdon grushtin e shtetit për të mbrojtur Belinda Ballukun.
Duke mbrojtur indirekt veten e tij, Edi Rama paralajmëroi se nuk ka ndërmend të shqyrtojë çështjen e heqjes së imunitetit të Ballukut.
Në këtë mënyrë, Rama nuk do i hapë rrugë arrestimit të Ballukut.
Nga ana tjetër, Rama tha se do ndërhyjë në legjislacion dhe Kushtetutë për të ‘zgjidhur’ këtë situatë sipas dëshirave të tij.
Ndërhyrjet ligjore do i shërbejnë Ramës për të zvarritur procesin.
Sa i përket SPAK, Rama shprehet se ata duhet të jenë të kënaqur me pezullimin e Ballukut.
POSTIMI I PLOTË
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.