Greqi/ Vajza 2-vjeçare bie në shatërvan dhe lufton për jetën, arrestohet babai shqiptar, nën hetim edhe nëna
Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në Kalithea të Greqisë, ku një vajzë 2-vjeçare po lufton per jetën pasi ra aksidentalisht në shatërvanin e sheshit “Kyprou”.
Fëmija ishte duke luajtur pranë shatërvanit, kur ka shpëtuar nga vëmendja e prindërve dhe ra në ujë.
Mjekët e Spitalit të Fëmijëve “Aglaia Kyriakou” iu përgjigjën urgjentisht dhe pas 40 minutash mundën ta ringjallnin vajzën, duke i kryer manovrën e shpëtimit CPR. Megjithatë, autoritetet bëjnë të ditur se gjendja e saj shëndetësore mbetet ende kritike.
Hetimet e para kanë zbuluar një fakt shqetësues: kur prindërit e fëmijës janë pyetur nga mjekët, ata deklaruan se vajza ishte 5 vjeçe, ndërkohë që rezultoi se ishte vetëm 2 vjeçe dhe në asnjë rast nuk duhej të ishte lënë vetëm.
Për këtë arsye, policia ka arrestuar babain, një 25-vjeçar me origjinë shqiptare, dhe ka marrë nën hetim në gjendje të lirë nënën, 23-vjeçare. Sipas informacionit nga mediat greke, kalimtarët që e panë ngjarjen njoftuan menjëherë policinë, e cila nxitoi për në vendngjarje dhe mori fëmijën për ta transportuar me urgjencë në spital.
Babai dhe nëna do të dalin para prokurorit të hënën, me akuzën e neglizhencës në mbikëqyrjen e fëmijësa së mitur. Ndërkohë, vajza po qëndron në njësinë e kujdesit intensiv në spital, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes.