Reuters: Kërkohen 45 vite burg për Thaçin, akuzohet për krime ndaj kundërshtarëve të tij
Prokurorët ndërkombëtarë për krime lufte thanë të hënën se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte kontroll mbi guerilët etnikë shqiptarë dhe se duhet të shpallet fajtor për krime lufte dhe të dënohet me 45 vjet burg.
Thaçi dhe tre ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë të njerëzve gjatë dhe menjëherë pas kryengritjes së viteve 1998-99, e cila përfundimisht solli pavarësinë e rajonit me shumicë shqiptare nga Serbia.
“Të akuzuarit kryen krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të marrë kontrollin mbi Kosovën,” i tha gjykatës në Hagë prokurorja Kimberly West. Ajo shtoi se gjatë viteve 1998 dhe 1999, më shumë se 100 kundërshtarë politikë dhe bashkëpunëtorë të dyshuar të forcave serbe të sigurisë u vranë dhe qindra të tjerë u keqtrajtuan në dhe rreth 50 kampe paraburgimi të drejtuara nga UÇK-ja.
“Ky rast ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi gjithë Kosovën,” tha West drejt fundit të një gjyqi që zgjati pothuajse tre vjet në Gjykatën Speciale për krime lufte të Kosovës në Hagë.
Thaçi, 57 vjeç, i cili ka shërbyer si kryeministër, ministër i Jashtëm dhe president i Kosovës së pavarur nga viti 2008 deri më 2020, si dhe të bashkëakuzuarit e tij, i mohojnë të gjitha akuzat.
Avokatët e Thaçit, që pritet të japin deklaratat përfundimtare të mërkurën, kanë argumentuar më herët se Thaçi nuk kishte autoritet real mbi UÇK-në dhe komandantët e saj ushtarakë gjatë kryengritjes dhe pas saj.
Prokurorët thonë se Thaçi dhe udhëheqës të tjerë të UÇK-së zhvilluan një fushatë të dhunshme që synonte kundërshtarët politikë, si dhe pakicat etnike serbe dhe rome, për të marrë kontroll të plotë mbi Kosovën.
Sipas prokurorisë, shumica e viktimave të përndjekjes ishin pjesëtarë të shumicës etnike shqiptare të Kosovës, që përbën rreth 90% të popullsisë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, të përbëra nga gjyqtarë dhe juristë ndërkombëtarë, u krijuan në vitin 2015 për të trajtuar rastet e krimeve të luftës sipas ligjit të Kosovës ndaj ish-guerilëve të UÇK-së. Shumë kosovarë e shohin këtë tribunal si të njëanshëm kundër UÇK-së dhe udhëheqësit e saj si heronj që çliruan Kosovën nga sundimi shtypës serb.