Prokurori Tieger: Thaçi dhe Veseli kishin roli kryesor në UÇK, dërguan armë për sulmet e 1997

Në seancën e sotme të Gjykatës Speciale në Hagë, ku po mbahen deklaratat përmbyllëse, prokurori Alan Tieger u rikthye në procesin gjyqësor duke përmendur dëshmitë e disa dëshmitarëve dhe duke theksuar rolin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit gjatë Luftës së Kosovës.

Tieger theksoi se Thaçi dhe Veseli ishin figura kyçe në vijën e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që nga fillimi i luftës dhe kishin një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbështetje të luftës kundër forcave serbe. Ai kujtoi se të dy kishin udhëtuar në Zvicër në vitin 1994 dhe, deri në vitin 1998, ktheheshin rregullisht në Kosovë çdo 3-4 muaj, ku qëndronin për disa javë secila herë.

Prokurori vazhdoi të shpjegonte detyrat e rëndësishme që Thaçi dhe Veseli kishin gjatë asaj periudhe, duke përfshirë mbajtjen e kontakteve dhe dërgimin e armëve në Kosovë. Ai përmendi një ngjarje të rëndësishme, kur ata kishin sjellë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të vitit 1997.

“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”.-shprehet ai

Lexo edhe: Prokuroria Speciale kërkon 45 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

Tieger theksoi se Hashim Thaçi kishte fituar reputacionin e një lideri të rëndësishëm, duke lidhur luftëtarët në Kosovë me planifikuesit që ndodheshin në mërgim. Ky informacion u përdor për të përforcuar akuzat ndaj të akuzuarve, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.