Penalltitë pro Real Madridit, një fenomen unik në Evropë
Fundjavën e kaluar, rrjetet sociale u mbushën sërish me “meme” dhe tallje për penalltitë në favor të Real Madridit, pas golit vendimtar në minutën e 100-të ndaj Rayo Vallecano-s. Por, statistikat tregojnë se nuk bëhet fjalë për rastësi: Reali fiton një penallti çdo 2 ndeshje dhe i akordohet vetëm një kundër çdo 11 ndeshje, një raport i paprecedent në LaLiga dhe në Evropë.
Pas 23 javësh kampionati, madrilenëve u janë dhënë 11 penallti në favor, pothuajse dyfish sesa Barcelona, Mallorca dhe Girona që kanë nga 6 secila. Në të kundërt, Reali ka marrë vetëm 2 penallti kundër, duke krijuar një bilanc +9. Krahasuar, Barcelona ka +2, ndërsa Girona dhe Mallorca +1.
Kur krahasohet me ligat e tjera evropiane, shifrat e Realit duken akoma më ekstreme: në Premier League, Brentfordi kryeson me 7 penallti pro dhe 6 kundër pas 25 javësh, Manchester City ka 4, Arsenali 3. Në Bundesliga, disa skuadra kanë nga 6 penallti, me Freiburg më të favorizuar (+5). Në Serie A, Como dhe Pisa kanë nga 6 (3 pro dhe 4 kundër), ndërsa në Ligue 1, Stade Brestois ka 8 pro dhe 2 kundër (+6).
Në Champions League, Reali ka 3 penallti në favor dhe 2 kundër në 8 ndeshje, një raport shumë më i balancuar se në kampionat. Ky fenomen i penalltive të Reali Madridit në LaLiga duket unik dhe po vazhdon të bëhet objekt diskutimi dhe debate në të gjithë Evropën sportive.