Ngjarje shokuese në Koln, arbitri Pascal Kaiser sulmohet fizikisht pasi i propozoi patnerit për martesë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Koln, ku arbitri gjerman, Pascal Kaiser, u sulmua nga tre persona në kopshtin e tij të shtëpisë. Sulmi ka karakter homofob dhe vjen pak ditë pas propozimit të tij të martesës ndaj partnerit Moritz, një moment që u bë viral dhe u ndoq nga rreth 50,000 spektatorë.

Megjithëse Kaiser kishte raportuar më parë në polici për kërcënime të marra një ditë më parë, autoritetet e kishin siguruar se nuk kishte “rrezik të menjëhershëm”. Megjithatë, tre individë e pritën arbitrin në shtëpinë e tij dhe e goditën dhunshëm në fytyrë, duke i shkaktuar një lëndim në syrin e djathtë.

Kaiser është i bindur se sulmi ishte i qëllimshëm, një “ndëshkim” për gjestin e tij publik të dashurisë, i cili për disa ditë kishte tërhequr vëmendjen e medieve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale në Gjermani.

Ngjarja po hetohet nga policia lokale, ndërsa komuniteti dhe tifozët e sportit kanë shprehur mbështetje dhe solidaritet për arbitrin, duke dënuar fuqishëm çdo akt dhune dhe diskriminimi ndaj orientimit seksual.