Skandali me pronat në bregdetin e Velipojës/ Banori i Baks-Rrjollit: Qeveria që votuam na tradhëtoi
Banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë kanë vijuar edhe ditën e sotme protestat për të kundërshtuar marrjen e tokave të tyre për ndërtimin e një resorti turistik. Ata akuzojnë për parregullsi dhe manipulime të procesit ligjor, duke përfshirë një gjyq të përshpejtuar dhe një dëgjesë publike fiktive, ku persona që nuk ishin banorë të zonës janë përdorur për të legjitimuar vendimin.
Prek Mona, përfaqësuesi i banorëve dhe udhëheqësi i protestave, në një prononcim për 'Kafe Shqeto' theksoi se ata nuk kanë dhënë kurrë dakordësi për shitjen e tokave dhe zhvillimin e tyre. Ai akuzoi autoritetet për veprime të jashtëligjshme dhe manipulim të procesit të ndarjes së tokave.
“Na kanë tradhtuar. Po të kishte qenë partia e rregullt, nuk do të firmoste diçka të jashtëligjshme. Ne nuk kemi dhënë kurrë dakordësi për zhvillimin e tokës. Protestat tona do të vazhdojnë derisa të rivendoset drejtësia,” shprehet Mona. Ai gjithashtu kërkoi që të bëhet një hetim i thelluar mbi mënyrën si janë ndarë tokat dhe për të zbardhur të vërtetën e procesit ligjor të ndjekur.
Banorët pohojnë se kanë prova të pakundërshtueshme për pronësinë legjitime mbi tokën, pavarësisht djegies së hipotekës në Shkodër në vitin 1997. Ata theksojnë se regjistri i pronësisë i tyre, i regjistruar që nga viti 1927, mbetet i paprekur dhe vërteton se toka është e ligjshme.
Urbanisti Imeldi Sokoli mbështeti kërkesat e banorëve, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë drejtësi për tokat e tyre. Ai sugjeroi që banorët duhet të drejtohen tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës për të verifikuar historikun e pronësisë dhe gjithashtu të kërkojnë informacion nga Bashkia Shkodër, pasi ajo e ka shpallur zonën si natyrore dhe jo për zhvillim.
“Duhet të verifikoni historikun e pronësisë tek Kadastra dhe të kërkoni informacion nga Bashkia Shkodër, pasi kjo zonë është shpallur natyrore dhe jo për zhvillim,” tha Sokoli.
Banorët e Baks-Rrjollit janë të vendosur të vazhdojnë betejën e tyre ligjore dhe publike, duke kërkuar një hetim të plotë dhe transparencë mbi mënyrën si janë marrë vendimet për ndarjen e tokave. Ata kërkojnë që të drejtat e tyre pronësore të mbrohen dhe të zbardhet e vërteta e procesit që ka çuar në ndërtimin e resortit turistik në zonën e tyre.
Protestat do të vazhdojnë derisa të vendoset drejtësia dhe proceset të bëhen transparente për banorët dhe opinionin publik.