‘Kleçka ligjore e Ramës’ - Hoxha: Vendimi i Kushtetueses për Ballukun ekspozoi dështimin e reformës në drejtësi

Mbrëmjen e së premtes, së 6 shkurtit, Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese u mblodhën për 10 orë për të marrë një vendim që pezullonte pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku e marrë e pandehur nga SPAK për abuzimet me tendera miliona euro.

Një vendim që gazetari Artan Hoxha, në një intervistë sot për ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, e quan produkt i asaj se në çfarë derexheje e ka çuar politika drejtësinë.

“Besoj që ky vendim i mosvendimit ka ndikuar për t'i dhënë pak adrenalinë rrjetit. Sepse të mblidhesh 10 orë për të mos marrë vendim dhe pastaj, pezullon pezullimin, duket një situatë vërtet jo normale. Megjithatë, për sa kohë që Gjykatën Kushtetuese e kanë lënë me 8 anëtarë, pra nuk e kam formuar të gjithë trupën gjyqësore, nuk është çudi të ndodhë edhe kjo që ndodhi. Ne ndodhemi në situatën, zero, para se të bëhej kërkesa në Gjykatën Kushtetuese“ thotë Hoxha në një intervistë për ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV

Për Hoxhën dërgimi në gjykatë Kushtetuese nga kryeministri Rama i kërkesës për heqjen e pezullimit të Belinda Ballukut ishte kleçkë ligjore për të marrë kohë  dhe shtyrë në kohë kërkesën që SPAK ka bërë në Kuvend për të kërkuar heqjen e imunitetit.

“Mazhoranca, më saktë kryeministri, më shumë u mundua të marri kohë me këtë procedurë, sepse kjo nuk ndikon në atë që është kërkesa direkte e SPAK-ut në Kuvendin e Shqipërisë. Qeveria i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese vetëm për një nga masat e sigurisë paraprake që u morën ndaj zëvendëskryeministres.

U mor, masa e parë ishte, bllokimi i pasaportës së saj dhe ne kemi një zëvendëskryeministre që nuk del dot nga territori i Shqipërisë, dhe masa e dytë ishte pezullimi i saj. Pjesa tjetër pastaj është kërkesa që bëri, SPAK, menjëherë sapo Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullonte pezullimin, duke iu drejtuar Komisionit të Mandateve në Kuvend.

Mazhoranca, meqënëse e kontrollon kuvendin, vendosi dhe gjeti një kleçkë ligjore. Tha, ne nuk shprehemi në kuvend pa u shprehur Gjykata Kushtetuese. Në fakt, SPAK-u në kuvend është drejtuar për tjetër gjë, nuk është drejtuar, për atë kërkesën që po gjykojnë në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që, kjo është edhe një element tjetër që dëshmon që ajo reforma e famshme, që na kanë bombarduar pa pushim gjatë këtyre 10 viteve, pra Reforma në Drejtësi, është një dështim total. Është një dështim nga A-ja te Zh-ja dhe nuk e shpëton dot SPAK-u me GJKKO-në”

Hoxha nënvizon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i kësaj reforme në drejtësi e cila deri tani ka shkaktuar 180 mijë dosje stok, goditi opozitën, dhe tani që çekiçi po godet maxhorancën reagojnë.

“E dëgjoj kryeministrin që flet për SPAK-un, në fakt vendimet vijnë nga GJKKO-ja. Janë vendime gjyqësore. Më shumë sesa të merret me SPAK-un, duhet të merret me gjykatën. Në qoftë se, siç tha ish-ministri i Drejtësisë zoti Manja javën e kaluar, që gjykatat janë kthyer në noterë të SPAK-ut, atëherë, ky është një problem që ne kemi kohë që e themi. Nuk është se po na lind tani. Gjykatën e Posaçme ne e kemi vendosur në njëjtën godinë me SPAK-un. I kemi bërë të dy palët bashkë aty. Ata janë familjarizuar me njëri-tjetrin dhe prokurori shkon te zoti gjyqtari, “Shiko, ma firmos ti këtë” i thotë, “se unë t’i sjell provat pak më vonë”.

Ne i kemi parë këto vendime, sidomos kur këto vendime kanë qenë kundër, përfaqësuesve të opozitës. Tani që mazhorancës i erdhi tek dera rreziku, tani ka filluar të thotë disa të vërteta që duhet t’i kishte thënë shumë më përpara, sepse sot është i pabesueshëm. 

Pse sot t’i kujtohesh dhe thua që gjykatat qenkan kthyer në noterë të SPAK-ut? Po kur gjykatat merrnin vendime ndaj drejtuesve të opozitës fiks para fushatës së zgjedhjeve parlamentare, kur ti more mandatin e katërt? Pse s’e the në atë kohë?

Pra, e gjithë situata në këtë moment që ne flasim, është kthyer në një, situatë qesharake, komike, por në fakt për fatet e shqiptarëve dhe qytetarëve, është një situatë tragjike. Sepse kjo nuk ndikon, në zgjidhjen e problemeve që kanë qytetarët shqiptarë.

Ne sot kemi këtë stokun e famshëm të 180,000 dosjeve. Kemi këtë drejtësinë që, jep padrejtësi, që i ka shtuar afatet e gjykimit. Madje edhe gjyqet për divorce, i ka shtyrë në përmasa të padëgjuara më parë. Kështu që, vendimi i Gjykatës Kushtetuese me këtë ndarje 4 me 4, s’bëri asgjë tjetër veçse na dëshmoi, se kjo është reforma, zotërinj, që keni bërë. Dhe tani, ndaç i rrihni gjoksin, ndas bini kokës me grushte, po këtë prodhuat. Prodhimi juaj është fiks kjo” tha ai.