Amnistia Penale, Vishaj: Të rishikohen afatet dhe kategoritë përfituese, ja kush mbetet jashtë
I ftuar në “Kafe Shqeto” në SYRI TV, avokati Saimir Vishaj u shpreh se Amnistia Penale, ndonëse paraqitet si masë lehtësuese, rrezikon të krijojë konfuzion dhe pabarazi.
Ai kritikoi mënyrën e arrestimeve, duke theksuar se në disa raste personat trajtohen si “numra” dhe jo si individë, ndërsa kostoja e mbajtjes në burg është e lartë.
Sa i përket amnistisë, Vishaj ngriti shqetësimin për përjashtimin e të dënuarve nga SPAK, çka sipas tij cenon barazinë para ligjit. Ai theksoi gjithashtu se shumë të dënuar kanë ankimuar vendimin dhe duhet të heqin dorë nga ankimi për të përfituar. Sipas tij, në amnisti duhet të përfshihen edhe të dënuarit në mungesë.
Vishaj: Policia shkon në mes të natës me kapuça e traumatizon atë si familje sikur ai është një kriminel dhe jo një shkelës ligji, që ka kryer një vepër penale.
Nuk bëhen pa dashje, janë me qëllim. Se kur kryhen arrestime, njerëzit konsiderohen sende dhe numra. Dhe kur raportojnë te shefat, thonë kemi arrestuar 100 sende, 200 sende, e kthyen njeriun në send.
Kur dihet që mbajtja e njeriut në burg kushton, jo vetëm nga ana monetare, që vete 350, 400 euro, të cilat ne mund t'ia hedhim në kopshte ose mund t'ia japim pensionistëve.
Sa i përket amnistisë, edhe kjo do të ketë shumë interpretime, sepse nga njëra anë vetë amnistia përjashton veprat penale të dënuara nga SPAK-u. Po SPAK-u në një vepër ka një grup të strukturuar, njërin për korrupsion, të tjerët i kanë për shpërdorim detyre e moskallëzim krimi. Shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi nuk është kopetencë e prokurorisë së posaçme. Dhe s'ka pse mos të përfitojë.
Po mjafton që e ka dënuar SPAK-u dhe ky person nuk përfiton. Pra, nuk kemi një barazi të palëve, siç fitojnë këta të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, të përfitojnë dhe këta.
Një nga pikat e para të amnistisë është që personi duhet të jetë i dënuar. Po ka 60% e personave të cilët nuk janë pajtuar me vendimin e shkallës së parë, kanë bërë ankim.
Kanë bërë ankim dhe ata detyrimisht duhet të heqin dorë nga ankimi. Thuhet që amnistia do të dalë brenda tre javësh, por përfitojnë ata të cilët kanë kryer vepra penale deri në 31 dhjetor të 2025-ës.
Ndërkohë që ky afat e para duhet të afrohet, të bëhet 28 shkurt dhe e dyta me personat të cilët i fshihen. Ka shumë persona që fshihen me dashje, po ka shumë persona të cilët nuk e dinë që kanë një vepër penale në ngarkim.
Vetëm kur vijnë në pikat e kalimit kufitar, hajde se ke për të bërë dy vjet burg, ke për të bërë tre vjet. Prandaj them që gjithë kjo shtresë e personave të cilët janë dënuar në mungesë, duhet të ishin përfshirë në amnisti. Ashtu siç duhet të ishin përfshirë edhe personat me burgim përjetë.