Përplasja dramatike e Lindsey Vonn, thyerja e këmbës i ndaloi rikthimin magjik
Rikthimi i ëndrrave për Lindsey Vonn përfundoi me një zhgënjim të madh të dielën, kur legjenda 41-vjeçare e skive alpine u rrëzua vetëm 13.4 sekonda pas fillimit të garës së rënies së lirë në Cortina d’Ampezzo. Sipas raportit të ekipit amerikan, Vonn pësoi thyerje të këmbës së majtë dhe u desh të evakuohej menjëherë me helikopter.
Vonn ishte tërhequr nga sporti në 2019 pas një periudhe të gjatë dëmtimesh, përfshirë edhe një zëvendësim të pjesshëm të gjurit të djathtë, që më pas i lejoi të kthehej në gara. Ajo njoftoi rikthimin në fund të 2025 dhe u kualifikua për ekipin amerikan për Lojërat Olimpike të Milanos-Cortina-s. Megjithatë, vetëm një javë para ceremonisë së hapjes, ajo kishte këputur ligamentin kryesor të gjurit (ACL) në Zvicër, por megjithatë vendosi të garonte.
Aksidenti i së dielës shtoi dhimbjen mbi dëmtimin ekzistues. Vonn humbi ekuilibrin pasi shkopi i saj i djathtë ngeci pas një porte, duke rënë me forcë dhe duke u dëgjuar duke bërtitur. Gara u ndalua për mbi 10 minuta derisa stafi mjekësor e vendosi mbi barelë dhe e transportoi në spital.
Kreu i sportit të skive dhe snowbordit të SHBA-së, Anouk Patty, komentoi për ESPN: “Do të jetë mirë, por do të duhet kohë për t’u rikuperuar. Ky sport është i ashpër, dhe njerëzit duhet të kuptojnë që këta atletë lëshohen me shpejtësi të madhe në mal.”
Vonn, fituese e tri medaljeve olimpike në pesë edicione të Lojërave të Dimrit, përfshirë medaljen e artë në rënien e lirë në Vancouver 2010, do të humbasë garat e kombinuara dhe super-G-së të programuar gjatë javës. Një përplasje që duket se e ndalon këtë fushatë të pestë dhe të mundshme të fundit olimpike.
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Skive, Johan Eliasch, e përshkroi aksidentin si “tragjik”, por shtoi: “Duke e njohur Lindsey-n, nuk do ta përjashtoja nga edicioni i 2030. Nëse gjithçka shkon mirë, mund të shkruajë një kapitull të fundit të pabesueshëm në karrierën e saj legjendare.”