E goditi me shkop metalik/ Arrestohet 25-vjeçari shqiptar në Greqi, plagos berberin dhe dëmton automjetin e tij

Një 25-vjeçar shqiptar është arrestuar në qytetin e Pylosit, në Greqi, pasi akuzohet se ka sulmuar një berber dhe i ka dëmtuar automjetin.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë greke, ngjarja ka ndodhur pasditen e 7 shkurtit. I riu kishte shkuar fillimisht si klient në berberhane, ku ishte qethur nga pronari i saj, një 51-vjeçar.

Megjithatë, për arsye ende të paqarta, 25-vjeçari është rikthyer më vonë në ambientet e berberhanes i pajisur me një shkop metalik të palosshëm. Autoritetet bëjnë me dije se ai fillimisht ka ofenduar verbalisht berberin dhe më pas e ka goditur me shkop, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Përveç dhunës fizike, i riu dyshohet se ka dëmtuar edhe automjetin në pronësi të 51-vjeçarit.

Policia ndërhyri menjëherë duke arrestuar 25-vjeçarin, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.