Arabia Saudite tronditet nga zërat e merkatos: Salah në shënjestër të Al-Nassr si pasardhës i Ronaldos?

Zërat e fortë që vijnë nga Arabia Saudite kanë ndezur skenën e merkatos, pas tensioneve të fundit rreth Cristiano Ronaldos. ‘Ylli’ portugez mungoi në dy ndeshjet e fundit të Al-Nassr, një situatë që është interpretuar si shenjë pakënaqësie dhe që ka hapur menjëherë spekulime për të ardhmen e tij.

Në qendër të pakënaqësisë së CR7 qëndron roli i Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, i cili administron disa klube të “Saudi Pro League”. Ronaldo besohet se nuk e sheh si të barabartë mënyrën se si fondi po vepron në merkato, sidomos pas transferimit të Karim Benzema-s te Al-Hilal, skuadër e drejtuar nga Simone Inzaghi dhe e përforcuar me emra të rëndësishëm si Theo Hernández, Rúben Neves dhe Malcom. Ky zhvillim është konsideruar si pika kulmore e pakënaqësisë së portugezit.

Në këtë klimë pasigurie, nga Anglia kanë nisur të qarkullojnë hipoteza të bujshme. Sipas “The Mirror”, Mohamed Salah mund të jetë emri i madh që Al-Nassr po mendon për të zëvendësuar Ronaldon, nëse situata përshkallëzohet. Klubi saudit thuhet se është gati t’i ofrojë egjiptianit një kontratë marramendëse, duke i trefishuar pagën aktuale që ai përfiton te Liverpool.

Salah, i cili fiton rreth 400 mijë paundë në javë dhe ka kontratë me “The Reds” deri në qershorin e vitit 2027, mbetet një nga ikonat e futbollit botëror. Mosha 33-vjeçare dhe fuqia financiare e klubeve saudite e mbajnë gjallë skenarin e një transferimi historik, që do të trondiste sërish tregun ndërkombëtar.