'Fundi i marrëveshjes bërthamore', Brahaj: SHBA- Iran në prag të një krize, pritet ndërhyrja amerikane

I ftuar në emisionin “Syri i Botës” nga Dori Daka, Dr. Sokol Brahaj u shpreh se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit ndodhen në një pikë kritike pas skadimit të marrëveshjes bërthamore historike. Ai theksoi se mungesa e një kontrate juridike ka krijuar një vakum sigurie global, duke e lënë të ardhmen e arsenaleve bërthamore në paqartësi.

Sipas Brahajt, kjo situatë rrit rrezikun e shpërndarjes së armëve bërthamore dhe mund të çojë në përshkallëzime serioze. Ai nënvizoi se SHBA, si superfuqi e vetme, ka kapacitetin të “çaktivizojë” kërcënimet bërthamore, por kjo nuk e bën të ardhmen të sigurt.

Brahaj paralajmëroi se situata mbetet tejet e paqëndrueshme, duke përfshirë praninë masive ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe ndihmat ndërkombëtare që vijnë për Iranin nga Kina, Rusia dhe India.

Eksperti shtoi se Irani ka pësuar humbje strategjike të mëdha në rajon dhe mbetet e paqartë nëse do të pranojë të heqë dorë nga programi i uraniumit dhe raketat balistike interkontinentale. 

Pjesë nga deklarata:

Në fakt, siç e thatë edhe ju në fillim, kjo çështje i përket çdo njeriu në këtë glob. Na përket neve, u përket anglezëve, amerikanëve, rusëve – të gjithëve. Tashmë jemi përballë një situate krejtësisht ndryshe nga ajo që kemi njohur deri më tani, sepse për gjysmë shekulli ka ekzistuar një marrëveshje që, me gjithë tensionet herë pas here, ka shërbyer si një rregull që i ka mbajtur në ekuilibër shtetet me arsenal nuklear dhe bërthamor.

Sot shtrohet pyetja: si do të jetë e ardhmja e këtij arsenali? A do të shpërndahet ai në më shumë shtete? A do të kemi vende të reja që do të pajisen me armë bërthamore, apo që i kanë, por nuk e kanë pranuar zyrtarisht, siç është rasti i Izraelit apo Iranit? Këto marrëveshje janë bërë pikërisht për të mos lejuar një përhapje të tillë.

Si do të zhvillohen gjërat, mbetet për t’u parë. Sipas shumë analizave dhe opinioneve në botën perëndimore, thuhet se nuk duhet të kemi frikë nga përfundimi i kësaj marrëveshjeje, pasi Amerika shihet si fuqia dominuese globale. Madje pretendohet se ajo ka aftësinë të neutralizojë edhe armët me arsenal nuklear, duke mbetur kështu një superfuqi e vetme vendimmarrëse.

Por pyetja kryesore për gazetarët, analistët dhe opinionin publik është: çfarë na pret nesër? E kaluara është e njohur dhe e dokumentuar, por e ardhmja është e paqartë dhe jo premtuese. Mund të ketë përshkallëzime të mëtejshme, sidomos kur dihet se aktualisht ka fronte lufte në disa vende dhe kontinente. Kjo marrëveshje duhet të jetë një pikë kyçe e vëmendjes për gjithë opinionin global, jo vetëm për shtetet që i kanë këto armë, por edhe për ato që nuk i kanë.

Armët bërthamore janë përdorur vetëm një herë, në Hiroshima dhe Nagasaki, dhe shpresa është që të mos përdoren më kurrë. Sepse një përdorim i tyre sot mund të nënkuptojë fundin e botës apo një apokalips. Ndoshta kjo situatë e trishtë do ta zgjojë ndërgjegjen njerëzore dhe do të çojë drejt një marrëveshjeje më të mirë, por ekziston edhe rreziku i përkeqësimit të mëtejshëm.

Sa i përket Iranit, prononcimet zyrtare nga Teherani tregojnë se ka pasur bisedime, por jo një marrëveshje konkrete për zgjatjen e saj. Palët kanë diskutuar vetëm për temat e raundeve të ardhshme, çka lë të kuptohet se ekziston mundësia për një marrëveshje. Megjithatë, si diplomacia iraniane ashtu edhe Shtëpia e Bardhë nuk shprehen hapur.

Në muajt e fundit kemi parë një situatë të ngjashme me një serial politik: bisedime, tensione, sulme dhe bombardime. Kjo ka ndodhur edhe më parë, si në rastin e Venezuelës gjatë administratës Trump, ku paralelisht me bisedimet ndodhnin veprime të papritura.

Sot, me praninë e madhe ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe rrethimin e Iranit nga disa drejtime, shumë analistë mendojnë se një ndërhyrje është e pashmangshme. Pyetja mbetet vetëm se në çfarë përmasash dhe për sa kohë.

Sipas disa burimeve, pas bombardimeve janë dërguar ndihma të mëdha në Iran nga vende si Kina, Rusia dhe India. Sa e saktë është kjo, mbetet për t’u verifikuar. Nga ana tjetër, diplomacia iraniane historikisht ka përdorur negociatat për të fituar kohë, me përjashtim të periudhës së Obamës, kur Irani arriti përfitime të konsiderueshme, veçanërisht në pasurimin e uraniumit.

Aktualisht, përveç çështjes bërthamore, problem mbeten edhe raketat balistike ndërkontinentale. Është e paqartë nëse Irani do të pranojë eliminimin e tyre. Deri tani, Irani ka treguar më shumë propagandë sesa fuqi reale, sidomos duke pasur parasysh humbjet e aleatëve të tij në rajon.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Irani ka nxjerrë mësime nga përballjet e fundit dhe nëse ka zhvilluar kapacitete të reja ushtarake. Amerika duket e bindur se do të ketë një ndërhyrje, por përmasat dhe pasojat e saj mbeten ende të paqarta.