'Rrëzimi i anijes pranë Kiosit'/ Detaje të reja mbi dënimin e kontrabandistit të dyshuar si organizator
Një shtetas maroken 31-vjeçar, i cili ndodhej në bordin e anijes që u mbyt pranë ishullit të Kiosit, ka pranuar fajësinë pas një marrëveshje me hetuesin dhe prokurorin, duke u dënua me paraburgim.
Ky person dyshohet të ketë qenë kontrabandisti që organizoi kalimin e emigrantëve në Greqi.
Sipas informacioneve nga ERT, ai ka pohuar se kishte paguar për të hipur në anije, megjithatë, edhe pse është identifikuar nga dëshmitë e personave të shpëtuar si kontrabandist, ai ka mohuar të jetë operatori i anijes para autoriteteve hetuese.
Në deklaratat e tij, i pandehuri ka treguar se prindërit e tij paguan 3,000 euro për të kaluar në Greqi, duke bërë rregullimet për kalimin me një person që fliste turqisht.
Ai ka shpjeguar se ka qenë ky person që organizoi gjithë udhëtimin e rrezikshëm përmes detit. I pandehuri përballet me akuza të rënda penale, përfshirë mbytjen e anijes që rezultoi në vdekjen e disa emigrantëve, kontrabandën e emigrantëve dhe hyrjen e paligjshme në vend.
Përveç dënimit të kontrabandistit, një tjetër aspekt tronditës i ngjarjes mbetet tragjedia e fëmijëve të plagosur në aksidentin e anijes.
Gjashtë fëmijë, të cilët pësuan fraktura të shumëfishta nga rrëzimi i anijes, u transportuan me urgjencë në Spitalin e Fëmijëve në Athinë me një avion C130, për të marrë trajtimin e nevojshëm.
Gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar tashmë, por mjekët kanë vlerësuar se është e nevojshme që ata të trajtohen nga specialistë të dedikuar.
Fëmijët janë shoqëruar në Athinë nga prindërit dhe vëllezërit e motrat e tyre. Në Klinikën Pediatrike të Spitalit të Kiosit, tre fëmijë të tjerë janë në gjendje të mirë, ndërsa një vëlla i tyre i mitur po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë.
Gjithashtu, nga të tria personat që u shtruan në Njësinë e Kujdesit Intensiv pas aksidentit, njëri tani ka kaluar në një repart të rregullt, ndërsa një grua dhe një burrë, të cilët kishin lëndime të rënda, mbeten ende të shtruar në Njësinë e Kujdesit Intensiv./ Përgatiti: Syri.net